Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu ka mohuar zërat se në Shërbimin Korrektues të Kosovës janë pranuar në punë në konkursin e fundit militantët e Vetëvendosjes. Reagimi i saj vjen në kohën kur raportohet për punësime masive të militantëve të partisë në pushtet në KEK, teksa Gazeta Insajderi raporton se e njëjta gjë ka ndodhur edhe në SHKK.
Sipas hulumtimit të Gazetës Insajderi, në konkursin e fundit në Shërbimin Korrektues të Kosovës kanë ndodhur punësime të dyshimta të militantëve të Lëvizjes Vetëvendosje.
E në këtë situatë ka reaguar Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, duke thënë se “për herë të parë në historinë e Shërbimit Korrektues të Kosovës, komisioni përzgjedhës (i cili përbëhet nga zyrtarë civil) nuk ka pasur as presionin më të vogël gjatë procesit të përzgjedhjes së zyrtarëve korrektues”.
Reagimi i saj i plotë:
Për herë të parë në historinë e Shërbimit Korrektues të Kosovës, komisioni përzgjedhës (i cili përbëhet nga zyrtarë civil) nuk ka pasur as presionin më të vogël gjatë procesit të përzgjedhjes së zyrtarëve korrektues. Ata kanë qenë thjesht të lirë dhe pa asnjë ndikim dhe presion nga kabineti apo dikush nga Qeveria dhe po ashtu kanë qenë në monitorim.
Njësoj do të ndodhë edhe me pozitat tjera që janë hapur dhe që do të hapen me ç’rast i ftojmë të gjithë ata që kanë interes të monitorojnë proceset e tilla.
Njësoj ka ndodhur edhe me procesin e Provimit të Jurisprudencës, ku kanë kaluar provimin më shumë se 100 persona. Kurrë asnjë presion nga askush nga kabineti apo dikush tjetër nga qeveria.
Njësoj do të ndodhë edhe me provimin për noterë dhe përmbarues por edhe me të gjitha konkurset e tjera.
Çfarëdo përpjekje për të dëmtuar proceset e tilla është e dështuar!