Referenti i lartë në Gjykatën Themelore të Pejës, Zenel Hoxha është pezulluar nga puna, pasi të enjten u arrestua nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike.
Hoxha është dërguar në mbajtje për 48 orë, njoftoi Gjykata Themelore në Pejë.
“Pas marrjes së njoftimit nga Gjykata Themelore Pejë se z. Zenel Hoxha, Referent i lartë në Gjykatën Themelore Pejë, është arrestuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë, Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të KGJK-së, bazuar në nenin 69 të Ligjit Nr. 03/L-149 Për Shërbimin Civil, vendosi: Pezullimin parandalues nga puna dhe detyrat e punës”, thuhet në njoftim.
Hoxha ishte referent i lartë për regjistrimin e lëndëve jokontestimore, trashëgimore dhe vërtetimin e certifikatave me vulën e vërtetësisë pranë Gjykatës Themelore në Pejë, është inkriminuar në veprën penale “marrje e ryshfetit”, në rastin kur nga qytetari të cilit i shërben, konkretisht nga i dyshuari D. Sh. pranon një sasi të hollave./Botapress.info/