[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Partitë joserbe ankohen në PZAP, dyshojnë se Lista Serbe manipuloi me vota



 

Pesë subjekte politike nga komunitetet romë, boshnjak dhe ashkalinjë, kanë dorëzuar sot ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), lidhur me zhvillimin e procesit zgjedhor në zgjedhjet e 14 shkurtit, shkruan Gazeta Botapress.

Duda Balje nga Unionit Social Demokrat (SDU), ka thënë që ankesa që sot kanë dërguar komunitetet  në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ndërlidhet me shkeljet kushtetuese që janë bërë gjatë procesit zgjedhor.

Ajo tha se në rast që Gjykata Supreme nuk do të marr vendim në favor të tyre, atëherë të njëjtit ankesë do të dërgojnë edhe në Gjykatën Supreme dhe atë Kushtetuese.

“Ne tani kemi dorëzuar ankesë në PZAP për gjërat që ne mendojmë se kemi të drejtë dhe që mendojmë që ka shkelje të Kushtetutës. Ne Komuniteti i boshnjakeve, romëve dhe ashkalinjë dhe egjiptian. Sot e kemi dorëzuar ankesën dhe jemi duke pritur rezultatihn. Besojmë që drejtësia të marr rrugën e vet. Mendojmë se  ka deputet që nuk janë votuar nga komuniteti që ata bëjnë pjesë. Ne do të shkojmë deri tek Gjykata Supreme, e më pas edhe në Kushtetuese. Ne jemi duke kërkuar anulimin e votave të serbëve që kanë votuar për boshnjak”, ka thënë Balje.

Në ndërkohë, Veton Berisha nga Partia Liberale Egjiptiane ka thënë se ankesa e tyre më shumë ndërlidhet me votat që ka marr Iniciativa e Adriana Hoxhiqit, nga komuniteti serb.

“Sot jemi duke kryer obligimin tonë ligjor. Ne kemi dërguar ankesën tonë, bashkë me pesë subjekte tjera politike të komuniteteve,. Jemi duke e ushtruar detyrën tonë ligjore. Jemi duke ankimuar iniciativën rome që mendojmë që ka marr vota nga komuniteti serb. Vota e komuniteteve lidhet me përfaqësuesit që i zgjedhin vet ata. Janë zgjedhur dy përfaqësues romë që janë zgjedhur me vota të komunitetit serb. Jemi shumë të bindur se nuk do të kemi nevojë që të shkojmë më tutje sepse PZAP’ja do të vendos në favor tonin”, ka thënë Berisha.

Ndërsa Albert Kinolli nga Partia Rome e Bashkuar (PREBK),  ka thënë se janë të dëmtuar nga ky proces zgjedhor.

“Ne sot ushtruam obligimin tonë dhe të drejtën tonë ligjore dhe kushtetuese që të ankohemi pranë PZAP’së dhe kemi konstatuar të gjitha subjektet politike që jemi të dëmtuar në këtë proces. Është shkelur e drejta e sovranit dhe e qytetarëve. Sa i përket Iniciativës rome nga Graçanica që për momentin i ka të zgjedhur dy deputet kemi konstatuar që janë zgjedhur në mënyrë jo demokratike, jo ligjore dhe antikushtetuese. Besojmë që kjo ankesë e jona nuk do të has në vesh të shurdhër dhe që drejtësia të vijë në vend”, ka thënë Kinolli.

Ankesë në PZAP ka dërguar edhe Partia e Ashkalinjëve për Integrim (PAI). Përfaqësuesi i kësaj partie Qazim Rrahmani ka thënë se përveç Listës Serbe edhe Serbia është përfshirë në shkeljen e të drejtave të komuniteteve.

“Ne tri komunitet jemi bashkuar të ankimojmë Iniciativën Rome. Siç e kemi thënë është shkelur vullneti i qytetarëve, është shkelur e drejta e komuniteteve duke ndërhyrë një komunitet dhe një shtet tjetër. Këtu nuk bëhet fjalë që ka ndërhyrë vetëm Lista Serbe por komplet shteti i Serbisë”, ka thënë ai.

Erzen Galushi, nga Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës, tha se shpreson që PZAP’ja të marr vendim në favor të tyre.

“Jam i bashkangjitur në këtë ankesë. Është shkelur e drejta e përfaqësimit të komunitetit rom dhe të komuniteteve të tjera në Kuvendin e Kosovës. Shpresojë që PZAP’ja të marr vendimin e duhur”, ka thënë ai.

Erzen Galushi, Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës

Në ndërkohë, Ehat Miftaraj nga Ndihma Juridike në kuadër të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) ka thënë që bëhet fjalë diku për 10 mijë vota që kanë kaluar nga komuniteti serb, tek dy parti të komuniteteve në Kosovë. /Botapress/