Para zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit të 2021-ës, kandidati për deputet asokohe, deklaroi se kishte marrë pagë 9 mijë e 800 euro nga Lëvizja Vetëvendosje.
Të ardhurat, Konjufca ka deklaruar se i kishte pranuar për angazhimin e tij si këshilltar i kryetarit dhe Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, tregon formulari i pasurisë së kryetarit të Parlamentit, i dorëzuar pranë KQZ-së.
Formulari është publikuar nga KQZ-ja këtë vit, raporton Paparaci. Ai është plotësuar nga kryekuvendari Konjufca më 16 janar të vitit 2021, rreth një muaj para zgjedhjeve nacionale të 14 shkurtit.
Ai para të gatshme nuk ka deklaruar, ndërkaq në llogarinë e tij bankare ka deklaruar se i posedon 2,200.83 euro. Të tjerat, i ka deklaruar si pronë e bashkëshortes së tij.
Kryetari i Kuvendit, si pronë të patundshme, e ka deklaruar edhe një banesë 100 m2 që sipas tij kap vlerën e 67 mijë e 127 eurove.
Sipas formularit të pasurisë së Konjufcës, ai i ka një borxh prej 67 mijë euro në bankën BKT, rrjedhojë e një kredie bankare.