[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Pacolli: Trump i nevojitej edhe më herët Amerikës, unë do veproj njëjtë në Kosovë



Behgjet Pacolli, kryetar i Aleancës Kosova e Re, ndër të paktit politikanë kosovarë që ishte pro zgjedhjes së Donald Trump President i SHBA-ve dhe që besonte në fitoren e tij, ka thënë në Zona B të Klan Kosovës se Trump është president i mirë dhe se ai edhe më herët duhej të vinte në krye të SHBA-ve.

“Kam pasur besim të plotë se do të fitojë Donald Trump, isha i sigurt edhe para daljes se rezultateve se do të fitonte. Bile unë pata përshtypjen se është e vonuar zgjedhja e tij si President. Trump do të jetë një president absolutisht i suksesshëm. Unë do të veproja kësisoj me Kosovën. Do të veproja njëjtë si Trump, kjo i nevojitet Kosovës. Në Kosovë nevojitet veprim me efekt imediat, jo diçka tjetër”.

Pacolli pohoi se “Trump flet nga shpirti, flet atë që do ta bëjë”.

“Kisha besim në fushatën tij elektorale, sa që nuk më mbeti asnjë dyshim që ky nuk do të jetë Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

“Edhe në fjalimin e tij në inaugurim, por edhe në drekën pa media, vetëm për 900 persona ku isha i privilegjuar të isha aty, shihej dëshira e tij të veprojë vetëm për interesat e qytetarëve të SHBA-ve”.

“Njeriu nëse ka sukses në biznes është e sigurt që nuk jeton me të keqen dhe ai njeri ndoshta është agresiv, por ai e qet’ të keqen jashtë dhe nuk mund të mbijetojë me të keqen. Njerëzit e biznesit e thonë atë cka e mendojnë”.

Pacolli ka siguruar se “edhe me Trump, Kosova do të ketë raporte të mira me SHBA-të dhe s’ka nevojë të frikësohemi”.