Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës dhe deputeti Behgjet Pacolli ka thënë se sekretari i OKB-së, Antionio Guterres, ka refuzuar të takohet me delegacionin e Kosovës me në krye presidenten Vjosa Osmani.
Këto komente ai i ka bërë në një postim në Twitter, duke thënë se është thyer tradita e kahmotshme ku pas çdo mbledhje të Këshillit të Sigurimit, Sekretari takonte delegacionet pjesëmarrëse të Kosovës e Serbisë, shkruan lajmi.net.
“Në OKB Antonio Guterres refuzon të takohet me zyrtarët e Kosovës duke thyer kështu traditën e paraardhësve të tij. UNMIK ka një mision të vjetëruar në Kosovë që nuk bën asgjë dhe shpenzon buxhetin e tyre në çështje të panevojshme që janë të parëndësishme për Kosovën. Koha për të shkuar në shtëpi”, ka shkruar Pacolli.
Tutje, Pacolli ka thënë se dje në KS të OKB-së, përfaqësuesi i UNMIK-ut kishte narracionin e plotë të Serbisë në Kosovë.
Ai ka rikujtuar edhe arrestimin e spiunit rus në veri, që ishte punëtor i UNMIK-ut.
“Në Këshillin e Sigurimit të OKB -së UNMIK kishte narracionin e plotë të Serbisë në Kosovë. Në vitin 2019 ne e shpallëm non-grata një anëtar të stafit rus të UNMIK për mbështetjen e strukturave paralele dhe krijimin e pengesave për Policinë. Kosova duhet të ngrijë plotësisht komunikimin me misionin”, ka thënë ai në një postim në Facebook.
Kujtojmë se delegacioni serb me në krye Nikolla Selakoviqin është takuar me sekretarin e OKB-së, Antonio Guterres.
Madje ky i fundit, sipas Selakoviqit e ndanë të njëjtin mendim me UNMIK-un në lidhje me operacionet në veri, se kinse Kosova ka vepruar njëanshëm dhe pa njoftim paraprak.