“Unë besoj në përfaqësuesen tonë dhe atë do ta shpërblej në mënyrën time, në rast të një fitore ndaj Spanjës”, kështu ka shkruar Behgjet Pacolli në llogarinë e rij në Facebook.
Kosova sonte do të përballet me Spanjën në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës që do të mbahet në Katar në vitin 2022.
Për vendin tonë, do të jetë diçka historike sonte zbritja në fushë në ‘La Cartuja’, pasi Kosova do të luajë me kundërshtarin më të madh të Pavarësisë.
Behgjet Pacolli, përmes llogarisë së tij në rrjetet sociale, duke mos treguar për preminë, ka thënë se do t’i shpërblejë Dardanët në mënyrën e tij në rast të një triumfi në Spanjë, që do të ishte historik për Kosovën.
“Kosova sonte shkruan histori në Sevilla. Përfaqësuesja e Spanjës sonte do të përballet me Kosovën në ndeshjen kualifikuese për Botërorin “Katari 2022”. Unë personalisht besoj në përfaqësuesen tonë dhe atë do ta shpërblej në mënyrën time, në rast të një fitore ndaj Spanjës. Sonte ky shtet pa dyshim do ta “njeh” kush dhe cila është Kosova!”, shkroi ai në Facebook.
Sfida në mes të Spanjës dhe Kosovës do të zhvillohet nga ora 20:45. /Gazeta Botapress/