[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Osmani: Me Serbinë dialogojmë vetëm për njohje



Botapress 9 Dhjetor- Vjosa Osmani, e cila po ushtron detyrën e presidentit të vendit, thotë se mospranimi i fajit nga Serbia lidhur me gjenocidin e kryer mbi shqiptarët, po e mban të varur dialogun.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës thotë se me Serbinë do të ketë dialog vetëm për njohje të ndërsjellë dhe duke kërkuar që ai shtet të pranojë peshën e fajit. Para përfaqësuesve të shoqatave të familjarëve të personave të pagjetur Osmani deklaron për angazhim në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.Sipas Osmanit, Kosova nuk mund të heshtë e të ndalët së kërkuari paqe.

“Ky është pengu i cili e mban të varur dialogun, pra mos-pranimi i fajit nga Serbia, mbajtja peng e mbi 1600 qytetarëve tanë si të zhdukur me dhunë, e mbi të gjitha mungesa e drejtësisë për viktimat e gjenocidit serb.

Por ne nuk mund të heshtim e nuk do të rreshtim së punuari që paqja të mbretërojë në të gjitha hapësirat që jetojmë sepse ky është interes i qytetarëve tanë e interes i yni strategjik. E paqja është e mundur vetëm atëherë kur thuhet dhe pranohet e vërteta, e vërteta e vetme e cila nuk mund të ndryshojë kurrë e as të përmbyset është ajo që ka ndodhur para syve të të gjithë botës, e vërteta e vetme e që nuk mund të përmbyset është që Serbia kreu gjenocid kurse ne ishim viktima të këtij gjenocidi”, tha Osmani.

Në shënimin e ditës ndërkombëtare të përkujtimit dhe nderimit të viktimave të gjenocidit, Osmani thotë janë të vendosur të kërkojnë me ngulm nga Serbia që të pranojë të vërtetën mbi Kosovën.

“Jemi të vendosur që të dialogojmë vetëm për njohjen e ndërsjellë, vetëm duke respektuar integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit, duke njohur dhe pranuar paprekshmërinë e territorit, rregullimin kushtetues dhe nivelin e organizimit të brendshëm por mbi të gjitha duke kërkuar me ngulm që Serbia ta pranojë peshën e fajit historik, a është Serbia e gatshme, jo, madje një jo e madhe, asnjë nga liderët e serb nuk ishte i gatshëm të bëjë atë që e bëri ish-kancelari gjerman para 50 vitesh, të kërkojë falje e të përkulet para viktimave që i shkaktoi ai regjim, ta bëjë atë që e bën një qenie njerëzore kur dhimbja nuk mund të përshkruhet me fjalë, pra të përkulet para viktimave”, tha Osmani.

Osmani thekson se fshehja e informatave nga Serbia, lidhur me vendndodhjen e trupave të shqiptarëve të zhdukur, është vazhdim i krimit sistematik që Serbia po vazhdon të kryejë.Sipas saj, të zhdukurit vazhdojnë të jenë historia më e trishtë e Kosovës dhe Beogradi po vazhdon t’i fshehë.