Letërsia shqiptare është një materie e brumosur gjithandej ku flitet dhe shkruhet shqip. Natyrisht, kjo brumosje ka edhe mëlmesat e veta që janë prurje letrare nga diaspora jonë e shtrirë nëpër shtete të ndryshme të botës. Institucionet tona gjegjëse, në raport me krijimtarinë letrare shqiptare, as për së afërmi nuk janë në nivelin e institucioneve përkatëse të shteteve fqinje në rajon dhe më gjerë! Aq më pak bëjnë në prezantimin e letërsisë sonë në gjuhët e huaja.
Ekzistojnë fonde të veçanta evropiane që ndahen për prezantimin e letërsisë së një popull në gjuhët e popujve evropianë. Fondet e këtilla mbase i shfrytëzojnë shtetet tona shqiptare, por ama jo edhe të gjithë shqiptarët në viset e tyre etnike. Bie fjala, në Maqedoninë e Veriut deri vonë funksiononte (mbase akoma funksionon!) një sektor nën vëzhgimin e Ministrisë së Kulturës, që quhej “Pika Kulturore
Kontaktuese” dhe menaxhonte me fondin e caktuar evropian, i ndarë ekskluzivisht për letërsinë maqedonase që do të përkthehej në gjuhën e ndryshme botërore. Nga ky fond ishte i përjashtuar përkthimi i letërsisë shqiptare që kultivohet në Maqedoninë e Veriut, sepse, për letërsinë shqiptare në gjuhët e huaja fondet evropiane derdheshin në Shqipëri dhe Kosovë! Gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut nuk pranohet nga BE-ja, ndërsa kjo dëshmohet edhe me këtë “politikë” për përkthimin e veprave letrare që krijohen në këtë shtet, ku kultivohet edhe një letërsi tjetërfarëshe dhe me tjetër gjuhë nga ajo maqedonasja, pra në gjuhën shqipe.
Në Kosovë ka vite që nuk janë ndarë kurrfarë fondi për krijimtarinë artistike të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, por edhe të viseve të tjera etnike! Një politikë të tillë jo të ndershme po e zhvillon edhe shteti amë, Shqipëria. Vitin e kaluar, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit u përcaktua për veprat e disa prej shkrimtarëve, pa dyshim, më të suksesshëm për vitit 2021 (Arjan Leka, Zija Çela, Rudi Erebara, Tom Kuka, Bashkim Shehu dhe Natasha Lako), të cilat do të përkthehen në greqisht, frëngjisht, spanjisht dhe italisht. Gjithsesi, veprat e këtyre autorëve do ta nderojnë kombin tonë në çdo gjuhë që do të përkthehen.
Megjithatë, të mbyllemi në “guaskën shtetërore” dhe të mos hedhim sy përtej asaj që krijohet në kuadër të kufijve shtetëror, është veprim përjashtues për pjesën e kombit që është më shumë se sa “populli rezident” (shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, të Malit të Zi, të Luginës së Preshevës, të Arbëreshëve, si dhe të mbarë diasporës)! Ky përjashtim i pavetëdijshëm bën që “organizmi letrar” i yni të jetë si një person me nevoja të veçanta!
Dikush, nga burrështetasit tanë, nga ata që u pëlqen të quhen si “rilindas të fundit”, është mirë të inicojnë një buxhet kombëtar për krijimtarinë shqiptare që kultivohet gjithandej tokave shqiptare dhe jo vetëm! Natyrisht, Shqipëria apo Kosova janë të obliguar që paratë e taksapaguesve të qytetarëve rezidentë t’i shpenzojë për ata dhe jo për shqiptarët që nuk paguajnë kurrfarë takse në dy shtetet tona!
Megjithatë, nëse maqedonasit, serbët, malazezët etj. e ndjejnë për nënçmim dhe turp që ta sponsorizojnë përkthimin në gjuhë të ndryshme të letërsisë shqiptare që zhvillohet brenda kufijve të tyre administrativ, atëherë politikanët tanë duhet të bëjnë diç që nga taksat e shqiptarëve që jetojnë nëpër vise të ndryshme etnike, të derdhen në fondin e veçantë kombëtar, i cili do të ndihmonte që para botës të dalim me një letërsi, të kultivuar po në gjuhën shqipe, gjithandej nëpër botë, nga shkrimtarët shqiptar që meritojnë të lexohen edhe në gjuhët e ndryshme të botës. Kjo duket si utopi, por ama të duket e pamundshme nga shteti shqiptar përfshirja e dy-tre krijuesve letrarë nga viset e tjera etnik dhe nja dy-tre nga diaspora si të përzgjedhur që do të përkthehen në disa gjuhë të botës, në të vërtetë një sjellje e tillë është e pakuptueshme, mospërfillëse dhe solidarizim me politikat kulturore diskriminuese të shteteve ku jetojnë shqiptarët! /HEJZA/