[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Organizatat e UÇK-së bëjnë thirrje për protestë masive në mbrojtje të Haradinajt



Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në një konferencë për media kanë dhënë detaje për protestën e nesërme, e cila do të mbahet në mbështetje të ish-komandantit dhe liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

 Kryetari i OVL të UÇK-së, Hysni Gucati tha se të shtunën do të organizohet një protestë për mbrojtjen e vlerave të luftës dhe në mbrojtje të gjeneralit.

Ai i ka bërë ftesë të gjitha partive politike që të marrin pjesë në këtë protestë.

Kurse, kryetari i shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari, tha se Haradinaj nuk është emër i zakonshëm, pasi ai është një gjeneral.

Ai kërkoi që të kundërshtohen fuqishëm provokimet e shumta nga Serbia.

 “Ju bëjmë thirrje që të dalin në mbrojtje të gjeneral, Ramush Haradinajt”, tha Jashari.

Kryetari i shoqatës së invalidëve të luftës së UÇK-së, Fadil Shurdhaj, duke dhënë detaje për protestën, tha se ajo do të fillojë në orën 13:00, kurse, nisja nga të gjitha komunat do të bëhet në ora 11:00 nëpër stacionet e autobusëve të secilës komunë.

Ai përmendi se transporti është i siguruar për të gjithë ata që duan të marrin pjesë.

Protesta është paraparë të zgjasë një orë.