Të hënën e 11 shtatorit do të mbahet seanca e re në Kuvendin e Kosovës, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Pika e vetme e diskutimit do të jetë ajo e buxhetit i vitit 2025.
Partia Demokratike e Kosovës nuk do ta votojë buxhetin e vitit 2025 në seancën e të hënës në Kuvendin e Kosovës.
Këtë e ka bërë të ditur shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri javën e kaluar
Ai ka thënë se Kosova mundet më mirë, dhe se buxhetet nga qeveria aktuale s’kanë lënë kurrfarë gjurmë.
“Në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit u caktua që ditën e hënë me 11 nëntor, të sillet për miratim buxheti për vitin 2025. Buxhetet e miratuara ndër vite nga qeveria aktuale, nuk kanë lënë kurrfarë gjurme, as në zhvillim, as në mirëqenie as në ekonomi. Duke qenë plotësisht të bindur se Kosova mundet më mirë, ne nuk do ta votojmë këtë buxhet”, ka shkruar Tahiri.
“Shpresën, mirëqenien dhe angazhimin për ta bërë më mirë Kosovën, do ta reflektojë në buxhetin për vitin e ardhshëm, Qeveria që do të dalë nga zgjedhjet e shkurtit, me kryeministër Bedri Hamzën”, ka thënë shefi i grupit parlamentar të PDK-së.
Krahas, PDK-së, pas mbledhjes së Kryesisë javën e kaluar, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi kishte deklaruar se kjo parti nuk do ta votojë buxhetin pasi sipas tij, ai ka probleme ligjore dhe kushtetuese.
Buxhetin për vitin 2025 s’do ta votojë as Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Kështu ka njoftuar shefi i deputetëve të kësaj partie, Besnik Tahiri.
“Në bazë të asaj që kemi parë, buxheti i kësaj qeverie që po e përfundon vitin e katërt, është buxheti që konfirmon mbytjen e zhvillimit ekonomik i cili ia ka varrosur shpresën 80 mijë qytetarëve që punojnë në shtetin e Kosovës për një pagë të dinjitetshme, buxheti i cili nuk ka asnjë projekt kapital të rëndësishëm dhe buxhet i cili nga ne do të kundërshtohet fuqishëm. Buxheti duhet të rishikohet në mars të vitit 2025”, kishte thenë Tahiri.