[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Opozita kundërshton dialogun, kërkon seancë të jashtëzakonshme [video]



Kuvendi i Kosovës duhet të marrë në duar fatin e Kosovës e bashkë me të edhe dialogun ndërmjet Prishtinës e Beogradit.

Këtë gjë po synon ta bëjë Lëvizja Vetëvendosje e cila, një ditë para se të rifillojë dialogu në Bruksel, ka nisur përpjekjet për të mbledhur nënshkrimet për mbajtjen e një seance jashtëzakonshme, përmes së cilës, ky subjekt do të kërkonte ndërprerjen e menjëhershme të këtij procesi, raporton KTV.

Deputetja Donika Kadaj-Bujupi ka theksuar se vazhdimi i dialogut është i pamundur pas dëmeve që Serbia po ia bën Kosovës.

Kundër vazhdimit të dialogut me Serbinë është deklaruar edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili po vazhdon të qëndrojë në Francë, si i liruar me kusht, pas arrestimit të tij në bazë të fletë-arresteve të lëshuara nga Serbia.

“Të dialogësh me Serbinë në këtë kohë është të punosh kundër Kosovës”, e ka cilësuar Haradinaj takimin e paralajmëruar për të martën në Bruksel.

Sipas tij, Mustafa dhe Thaçi janë shndërruar në kukulla të Serbisë.

Kundër vazhdimit të dialogut, është deklaruar edhe Nisma për Kosovën, e cila e ka vlerësuar si të dobishëm vetëm për Serbinë.

Por pozitiv këtë takim e sheh ish-anëtari i Ekipit të Unitetit, Nexhat Daci, i cili beson se ka ardhur koha që në Bruksel të bisedohet në nivele më të larta, pikërisht për shkak të problemeve të fundit në raportet mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, shkuarja e presidentit Thaçit atje përveç fuqisë që do t’i japë takimit është edhe një siç e cilëson ai, “larje mëkatesh”, për dështimet në procesin e mëparshëm të dialogut.

Pas tensioneve të shumta të kohëve të fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, zyrtarë të Bashkimit Evropian, kanë thirrur në takim krerët më të lartë të të dyja shteteve, për të vazhduar dialogun e nisur në vitin 2011.

Për dallim nga herët e kaluara, për herë të parë të dyja delegacionet do të përbëhen, përveç kryeministrave edhe nga presidentët, Thaçi e Nikoliq.