Zgjedhjet lokale do të mbahen me 17 tetor të këtij viti, e disa nga partitë në vend veçse kanë publikuar emrat e shumicës së kandidatëve të tyre, kryesisht nga opozita, ndërsa Vetëvendosje akoma asnjë zyrtarisht nuk e ka prezantuar, madje nga reagimet e kohë pas kohëshme nga ky subjekt dalin në shesh edhe mospajtimet e brendshme, për të cilat ka reaguar edhe lideri i tyre.
LDK dhe AAK kanë treguar një mori emrash përnjëherë për kandidatët e partive të tyre që pretendojnë t’i vendosin nëpër komunat e Kosovës, derisa PDK ka prezantuar më pak se ato. Nga Vetëvendosje, partia më e madhe në vend, është kërkuar që askush të mos e kandidojë veten, dhe të presin vendimin e partisë.
Albin Kurti pati një mesazh gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje gjatë kësaj jave, ku tha se duhet të ndalen vetëkandidimet apo vetëshpalljet, duke lënë të aludohet se ishte fjala për Bahtirin pasi deri tani është i vetmi kandidat që ka deklaruar hapur se do kandidoj në zgjedhje, derisa vetë Lëvizja nuk ka bërë të ditur asnjë kandidat.
‘’Asnjë prej kryetarëve nuk ka për të qeverisur vetëm me miqtë e vet, e asnjë grup shoqëror nuk do të marrë në kontroll asnjë qendër apo asnjë komunë. Prandaj fushatat negative duhet të ndalen, ashtu siç duhet të ndalen edhe vetëshpalljet apo vetëkandidimet, si dhe pretendimet që dikush ka mbështetje nga niveli i tretë apo nga kryesia e Lëvizjes. Mbështetja jepet vetëm në mënyrë statutore, demokratike dhe institucionale, nuk është mbështetje një fotografi apo një takim diku’’, tha Kurti.
Më poshtë Metro ju sjellë kandidaturat zyrtare të partive opozitare:
LDK e Lumir Abdixhikut:
Kryesia e kësaj partie në fillim të qershorit kishte zyrtarizuar kandidaturat për kryetarë të këtyre komunave:
Prishtinë, Përparim Rama;
Podujevë, Ekrem Hyseni;
Pejë, Gazmend Muhaxheri;
Suharekë, Ardian Shala;
Lipjani, Imri Ahmeti;
Fushë Kosovë,Burim Berisha;
Vitisë,Sokol Haliti;
Vushtrri, Xhafer Tahiri;
Përvec zyrtarizimit të kandidaturave, Kryesia e LDK-së, pas kërkesës së kryetarëve aktual të Degëve, do të orgnizojë Kuvende të Jashtëzakonshme Zgjedhore në Rahovec dhe Dragash.
AAK e Ramush Haradinajt:
Këshilli Drejtues ka miratuar emrat e 14 kandidatëve, ndërsa në proces është miratimi edhe i kandidatëve të tjerë për komuna në zgjedhjet lokale që do mbahen më 17 tetor.
Emrat e kandidatëve për AAK dhe komunat respektive që do kandidojnë, janë kështu si vijojnë:
Agron Kuçi, Junik
Ardian Gjini, Gjakovë
Ali Krasniqi, Obiliq
Bali Muharremaj, Suharekë
Bashkim Ramosaj, Deçan
Bekë Berisha, Istog
Besnik Tahiri, Podujevë
Daut Haradinaj, Prishtinë
Faton Jakupi, Kamenicë
Mensut Ademi, Vushtrri
Rrustem Berisha, Pejë
Smajl Latifi, Rahovec
Zenun Elezaj, Klinë.
PDK
Enver Hoxhaj derisa ishte Ushtrues Detyre i kësaj partie kishte zyrtarizuar këto kandidatura:
Agim Aliu në Ferizaj,
Rrahim Tërnava, Fushë Kosovë
Murtez Zekolli, Suharekë
Shaqir Totaj, Prizren
Sami Lushtaku, Skënderaj,
Ramiz Lladrovci, Drenas.
Në anën tjetër Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk ka pranuar asnjë aplikim nga ana e subjekteve politike për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale që do të mbahen me 17 tetor të këtij viti.
Partitë politike kanë afat për një gjë të tillë deri me 16 gusht.
Partitë politike, iniciativat qytetare dhe kandidatët e pavarur, përveç aplikimit për të marrë pjesë në zgjedhje duhet të dorëzojnë edhe listën me emrat e kandidatëve për Kuvendet Komunale./Botapress/