Kryeministri Albin Kurti sheh punë të mëdha të realizuara kur kthehet ta vlerësojë qeverisjen njëvjeçare. Opozita vlerëson krejt ndryshe prej tij. PDK-ja dhe LDK-ja, dy partitë më të mëdha opozitare e kanë përshkruar njësoj, “të paaftë”, Kurtin dhe Qeverinë e tij.
Albin Kurti zgjodhi televizionin publik që të martën mbrëma të flasë për punët e një viti në qeverisje. Kryeministri e përshkroi rolin e tij gjatë kësaj kohe si një lider i angazhuar e aktiv gjatë gjithë kohës. E krahasoi veten me punëtorin që çan beton, teksa fliste për skandalin e zëvendësit të tij, Besnik Bislimi, të cilin e quan thjesht lëshim.
“Në qeverisje je tërë kohën aktiv. Aq shumë aktiv saqë është e pamundshme të kontrollosh gjithçka. Unë nganjëherë bëj shaka, them se si kryeministër më duket vetja pak si – nonstop duke shkruar mesazhe, duke marrë vendime, duke lexuar raporte, duke përcjellur udhëzime – sikur ai punëtori që punon me hillt, me atë që çan beton. Ama theksi nuk duhet të jetë te betoni që çahet, por te punëtori që dridhet”, tha ai.
Apeli i Speciales merr vendim për ankesën e Thaçit dhe Veselit
Në mesditë, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi dhe ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku, dolën në konferenca të ndara për shtyp për të argumentuar se sa “e paaftë” ishte Qeveria përgjatë një viti.
“Ky vit i parë i qeverisjes së Albin Kurtit, mund të përshkruhet në shumë drejtime, por të gjitha drejtimet e kanë një emërues të përbashkët dhe ajo është paaftësia”, tha Memli Krasniqi.
Ai e sheh si jokompetente Qeverinë e Albin Kurtit, ndërsa përmendi “rezultatet e munguara në çdo fushë”. Epilogu i vitit të parë të qeverisjes nga LVV-ja, Krasniqi tha se ishte “përtej imagjinatës” së tyre.
Kolegu i tij në opozitë, Lumir Abdixhiku, tha se për 12 muaj, qeverisja e Kurtit është përcjellë “me popullizëm, arrogancë, arsyetime tek e shkuara e mungesë të qartë të vizionit zhvillimor për Kosovën”.
“Është përcjellë dhe me braktisje të kauzave fondamentale të ngritjes në pushtet; siç është përcjellë me braktisje të halleve e nevojave të qytetarëve në secilën krizë me të cilën është ballafaquar për një vit”, tha Abdixhiku.
Në krizën e pandemisë dhe krizën e energjisë elektrike, Qeveria Kurti “ka vendosur t’i braktisë qytetarët”, tha ai. Abdixhiku i quajti “fatale” ballafaqimet e Qeverisë me krizat, ndërsa LDK-ja në ëeb-faqen e saj publikoi një dosje me “12 dështimet e mëdha të Qeverisë Kurti”.
Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, e ka akuzuar Qeverinë Kurti për shumë dështime në shumë fusha gjatë punës njëvjeçare. Megjithatë, ai e ka llogaritur një sukses, që sipas tij është krijimi i Fondit të Sigurisë.
“‘Krejt dhe Drejt’ ishte parulla, që konfirmon se mungesa e një plani të qartë, është vetë plani i stagnimit. Deklaratat populliste, u treten si fluska, kapja, ç’kapja, avancuan në deklarime qesharake për punësime, shkarkime e ngarkime, me filtera e bojlera, pa ndonjë rezultat. Një vit pas, Kosova është në udhëkryq pa vizion, e qytetari më i varfër”, tha ai.