[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Objektet e investuara nga BE-ja do të përurohen kah gjysma e muajit prill



Komiteti drejtues i projekteve që BE-ja i financon në komunën e Mitrovicës, në takimin e mbajtur nën drejtimin e kryetarit të komunës, Agim Bahtiri, ka biseduar për gjendjen aktuale në objektet e lartpërmendura, përkatësisht për punët përfundimtare që janë bërë dhe për kohën e dorëzimit-pranimit të tyre.

Anëtarët e Komitetit vlerësuan se pothuaj të gjitha projektet janë të gatshme  për testim dhe pranim përmes komisioneve të përbashkëta Komunë-BE-punëkryesit.

Në takim u tha se janë paraqitur disa probleme sa i përket formimit të kompanisë publike që do të menaxhonte objektin multi-funksional, pasi që Ministria përkatëse ene nuk i ka kthyer përgjigje komunës në kërkesën e saj për formimin e kompanisë së re. Si pasojë e kësaj, u tha se nuk ka mundur të bëhet as pranimi i stafit që do të punonte në objekt.

Mirëpo, kryetari Bahtiri tha se shpreson se ky problem do të zgjidhet së shpejti. “Nëse Ministria nuk na kthen përgjigjen e obliguar, atëherë do të gjemë mënyrë tjetër që këto objekte të menaxhohen. Kemi një kompani publike komunale e cila do të mund të menaxhonte me këto objekte, andaj edhe ato do të futen nën ombrellën e saj”, tha kryetari Bahtiri.

Sa i përket objektit të Qendrës tregtare, kryetari Bahitri tha se ai  është shpallur në tenderim dy herë, por që nuk ka pas të interesuar, si duket për shkak të çmimit të lartë.

“Tani KK ka marrë vendim që çmimi të zbret dhe ne jemi duke e përgatitur shpalljen publike dhe shpresojmë se do të ketë kompani të interesuara për të marrë këtë objekt për menaxhim”, tha ai.

Kryetari Bahtiri i njoftoj përfaqësuesit e BE-së se problemi i sallës së sporteve “Minatori”, të cilën AKP-ja e ka renditur në listën e objekteve për likuidim, do të zgjidhet shumë shpejtë, pasi ai dhe objektet tjera janë me rëndësi të veçantë për qytetarët e Mitrovicës, gjë që nënkupton se në asnjë mënyrë nuk do të privatizohen.

Kryetari Bahtiri propozoj që të gjitha objektet që janë financuar nga BE-ja e që janë shëtitorja kryesore e qytetit, palestra e sporteve, Qendra tregtare dhe objekti mult-funksional rekreativo-sportiv, të përurohen me një ceremoni modeste në të njëtën ditë e që pritet të jetë kah mesi i muajit prill.