Marrëveshje të fshehta, përjashtime nga subjektet politike dhe shumë negociata të hapura e të fshehta i kanë karakterizuar zgjedhjen e kryesuesve të kuvendeve komunale.
Përfituesja më e madhe pas zgjedhjeve lokale pa dyshim ka qenë Partia Demokratike e Kosovës, i cila ka arritur koalicione në shumë komuna, ku nuk i ka fituar zgjedhjet, shkruan Telegrafi.
Prishtinë – LDK-ja që ka fituar zgjedhjet për kryetar ka arritur të zgjedh edhe kryesuesin e Kuvendit Komunal, por pasi është arritur marrëveshja me PDK-në. Ende nuk dihen saktë detajet e ndarjes së pushtetit në kryeqytet, por dihet që PDK do të merr një pjesë të madhe të “tortës” edhe për shkak të numrit të asamblistëve që ka.
Prizren – PDK ka fituar zgjedhjet për kryetar të komunës, por me disa marrëveshje joformale ajo ka marrë edhe kryesuesin e Kuvendit. Asamblistë të LVV-së e LDK-së pa miratimin e partive të tyre kanë votuar kandidatin e PDK-së duke zgjidhur kështu problemin e kryesuesit. PDK në Prizren ka koalicion me AAK-në, NISMËN e AKR-në derisa po tenton të lidh marrëveshje edhe me LDK-në.
Pejë – LDK ka kryetarin e komunës dhe kryesuesin e asamblesë. Në këtë komunë LDK ka koalicion me PDK-në dhe disa parti tjera të vogla.
Gjilan – LVV ka kryetarin e komunës dhe sot ka arritur koalicion qeverisës me PDK-në. LVV ka marrë edhe kryesuesin e Kuvendit Komunal derisa PDK do të merr katër drejtori dhe nënkryetarin e komunës.
Ferizaj – Në Ferizaj PDK ka fituar zgjedhjet për kryetar qysh në raundin e parë, derisa kryesuesin e Kuvendit Komunal në këtë komunë e ka marrë AAK-ja.
Mitrovicë – Në Mitrovicë PDK ka kryetarin e komunës dhe kryesuesin e asamblesë. LDK në Mitrovicë ka akuzuar disa zyrtarë të lartë të saj për bashkëpunim me PDK-në duke i përjashtuar nga partia.
Gjakovë – AAK ka kryetarin e komunës, derisa PDK ka kryesuesin e Kuvendit komunal. AAK, PDK, PSHDK kanë koalicion në këtë komunë.
Podujevë – LVV në Podujevë ka kryetarin e komunës, derisa pas shumë tentimeve kryesues i asamblesë është zgjedhur asamblisti i PDK-së, duke evituar zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Suharekë – AAK ka kryetarin dhe kryesuesin e kuvendit komunal. Në këtë komunë AAK ndan pushtetin me PDK-në.
Viti – LDK në Viti ka kryetarin e komunës dhe gjashtë drejtori, derisa PDK pos kryesuesit nga marrëveshja për koalicion me LDK-në ka marrë edhe pesë drejtori komunale.