Në pasditen e 10 Nëntorit, derisa po shetisnim në parkun Rockefeller State Park Preserve në periferi të Nju Jorkut, për një çast para nesh u shfaq një burrë i madh: Presidenti Bill Clinton.
Viti 1992
Këtu e gati 30 vjet më parë kisha dëgjuar për emrin e tij. Në vitin elektoral të zgjedhjeve presidenciale në SHBA, derisa po punoja si gazetar në Televizionin shqiptaro-amerikan TV Studio Victoria, me pronarë Vellëzërit Osman, Hasan e Esat Osmani, Bill Clinton ishte kundërkandidat i Presidentit George Bush (i vjetër). Si gazetar i viteve 90-ta kisha dëgjuar për “vijën e kuqe” që presidenti Bush i kishte vënë presidentit të atëherëshëm serb Milosheviq. Ndaj, sikur kisha një simpati më të madhe për Presidentin Geroge Bush.
Kur në nëntor të atij viti, garën presidenciale e fitoi kandidati demokrat Bill Clinton, Osman Osmani, duke e lexuar në fytyrën time “një fije frike” më tha: Kushëri, mos u mërzit, për Kosovën janë bashkë republikanë e demokratë!
23 Mars 1999
Dirisda në lajmet qendrore televizive u shfaq presidenti Bill Clinton duke dhënë lajmin për fillimin e bombardimeve ndaj caqeve serbe në Kosovë, sa do që ishim në një rrethim të hekurt nga policia serbe në lagjen Te Bunari i hajratit, në Prishtinë, intimisht e ndjeja se Liria e Kosovës është diku në horizont.
Qershor, 1999 – Stankovec
Gjatë vizitës së Presidentit Clinton në kampin e refugjatëve të luftës në Stankovec të Maqedonisë Veriore, unë dhe familja ime ishim larguar disa ditë më parë për në Austri. “Paska qenë presidneti Clinton aty ku kemi qenë ne refugjatë” komentonte Bahrija, bashkëshortja derisa përcillnim lajmet e RTSH-së.
Nëntor, 1999 Ferizaj
Gjatë vizitës së tij të parë në Kosovën e çliruar ua kam pasur zili kolegëve të mi që kishin rastin dhe nderin të raportonin nga kjo vizitë historike e presidentitn Clinton në Ferizaj. Unë dhe familja ime po pritnim në Linz të Austrisë çdo ditë të pajiseshim me dokumente për t’u kthyer në Kosovë.
2003 Prishtinë
Vizitën e presidentit Bill Clinton në Kosovë dhe takimin me presidentin Historik Ibrahim Rugova e kam përcjellë si shumica e gazetarëve kosovarë, në Aeroport, në Fakultetin Filologjik, në Presidencë.
Kur është përuruar shtatorja e presidentit Bill Clinton në Prishtinë, e kam ndjerë se sa i madh është ky burrë për popullin e Kosovës. Shtatorja, sa do e madhe që ishte më dukej fare e vogël krahas madhështisë së Presidentit Clinton,
10 nëntor 2021 Rockefeller State Park Preserve – Nju Jork
“Përshëndetje zoti President!”
“Përshëndetje!”
Para se të na afrohej dhe të të takoheshim ballë për ballë, bashkëshortja Bahrija me tha me zë të ulët:
– A është ky Presidenti Clinton?
Nuk pata kohë t’ia ktheja përgjigjen sepse vetë përshëndetje:
-Përshëndetje Zoti President-ishte përgjigje dhe konfirmim.
Presidenti Clinton po ecte qetë e ngadalë, krah për krah bashkëshortes së tij e ish-sekretares amerikane Hillary Clinton.
Ishin vetëm disa ditë pasi Presidenti kishte dalë nga spitali pas një intervenimi të lehtë mjekësor. Por dukej se e kishte marrë veten. Ecte qetë por sigurtë. Prapa tij disa djem që mendohej se ishin bodiguardë.
-Liria e Kosovës e ka emrin e tij, u thashë Bahrijes, vajzës Kaltrinës dhe djalit Fatjonit!
Kaltrina “dridhej” nga gëzimi që kishte patur rast të takohej “ballë për ballë” me Presidentin Clinton.
Fatjoni, që ka lindur dy vjet pas çlirimit të Kosovës, mu drejtua: Pse nuk me the që është Presidenti Clinton, ta kisha përqafë njëherë e t’ia kisha puthë dorën?
– Jo i thashë Fatjoni. Presidenti Clinton ka pak ditë që ka dalë nga spitali. Ju e patë se dukej paksa i lodhur. Pastaj ky është një takim fare i rastësishëm. Mjafton që e përshëndetëm dha na përshëndeti.
Mos harro Fatjon, i thashë: Presidentin Clinton e duan, e përqafojnë dhe ia puthin dorën krejt shqiptarët e Kosovës e anembanë botës, nga afër apo nga larg, sepse ai është mik e burrë i madh i shqiptarëve e i Kosovës. Ai është vetë Liria e Kosovës.
Derisa po ktheheshim me makinë në shtëpi, u thashë se Presidenti Clinton është fqinj me një familje shqiptare. Ai është Osman Osmani, një shqiptar që ka bërë shumë e ka dhënë mjaft për Kosovën në vitet 90-ta e më pas. Osman Osmani ka qenë “bossi” im kur punoja si gazetar në TV Studi Liria. E njoh shumë mirë dhe e kam mik të mirë.
Kaltrina, që nuk po përmbahej nga emocionet e këtij takimi të rastësishëm, më pyeti:
-A bën me vizitu na familjen e ish-bossit tënd z, Osman Osmani dhe me e pa edhe njëherë presidentin Clinton, fqiun e kësaj familje shqiptare në Neë York?
-Po i thashë, veç me një kusht!
-Cilin kush?
-Më ardhë ti prapë në Amerikë në fund të këtij viti!
-U bë, tha Kaltrina!
-U bë, i thashë unë!