Mungesa e kuadrove adekuate nëpër ministri ka bërë që shumë institucione të rekrutojnë staf përmes shpalljes publike.
Së fundmi Ministria e Ekonomisë e udhëhequr nga Artane Rizvanolli përmes tenderit publik ka përzgjedhur Qendrim Isufajn ekspert për multimedia.
Bazuar në të dhënat e publikuara në platformën onbline E-prokurimi për shërbimet e lartëcekura Isufaj do të paguhet 4 mijë e 800 euro për gjashtë muaj punë.
Në bazë të dokumenteve të publikuara në E-prokurim për këtë shpallje ka ofertuar vetëm një kanditat.
Ai është vlerësuar me pikë maksimale 100 pikë.
Arsyetimi i kërkesës së ministrisë thuhet se në shërbim të transparencës, të informimit dhe vetëdijesimit të qytetarëve si dhe në mungesë të kapaciteteve me përmasat multimediale ku nevojitet montimi/editimi i videove/fotografive dhe materialeve promovuese lidhur me dizajnimin e masave për subvencionim të pajisjeve efiçiente me ndihmë të pakos 75 milionëshe të Bashkimit Evropian, është shfaqur nevoja për angazhim të një eksperti për multimedia.
“Divizionin për Komunikim me Publikun (DKP) momentalisht funksionon me kapacitete të kufizuara ku ka mungesë të stafit. Për shkak të volumit të madh të punëve ditore për realizimin e planit të punës dhe angazhimeve shtesë në fushata mediale të ministrisë sidomos rreth subvencionimit të pajisjeve shtëpiake efiçiente dhe sistemit diellor për ngrohjen e ujit, shfaqet nevoja për angazhim të stafit shtesë sidomos në fushën e multimedias.
Ndërkohë që po punohet për rishikimin e rregullorës së brendshme të Ministrisë së Ekonomisë (ME) e po ashtu edhe të divizionit tonë, veçanërisht në fushën e multimedias, këtë punë do ta bënte eksperti në fjalë pasi mungesa e një zyrtari për multimedia e vështirëson punën tonë për të mbuluar siç duhet të gjithë departamentin. Mbulimi i pozitës së zyrtarit për multimedia, do t’u mundësonte zyrtarit tjetër të kryej detyrat e tij përkatëse pa u mbingarkuar. Momentalisht, asnjë zyrtar në DKP nuk mund t’i ushtrojë detyrat e zyrtarit për multimedia.
Prandaj, na duhen ekspertë të cilët tashmë kanë përvojë të avancuar në fushën e multimedias dhe komunikimit të cilët mund të ndajnë përvojat e tyre me ne”, thuhet në arsyetimin e ministrisë./IndeksOnline/