Një javë nga rrahja brutale e imamit nga tre ekstremistët – kjo është gjendja shëndetësore e tij

Imami i fshatit Lupç të Podujevës, Zeqir Berisha i cili u rrahë brutalisht të enjten e 21 korrikut nga tre ekstremistë po vazhdon trajtimin në QKUK më konkretisht në klinikën e Kirurgjisë Plastike.

Gjendja e tij shëndetësore është pak më e mirë. Pritet të kryej disa intervenime në fytyrë shkaku i thyerjeve që ka pësuar. Por si pasojë e lëndimeve të rënda ndërhyrja nga mjekët mund të marrë kohë.

Kështu thonë burime të mirëinformuara të Gazetës.

Gazeta raportoi se personat të cilët e sulmuan Imanin e xhamisë janë Atdhe, Behar dhe Shkodran Murturi. Pas, sulmit tre vëllezërit Murturi ishin kapur nga Policia dhe tashmë me vendim të Prokurorit janë dërguar prapa grilave.

Gazeta kishte raportuar ekskluzivisht që nga detajet e para e deri tek motivi i rrahjes brutale që iu bë imamit nga vëllezërit ekstremistë.

Burime të gazetës thanë se deri tek rasti i rrahjes brutale ka ardhur pasi tre vëllezërit ishin munduar të ndërhyjnë në mënyrën e organizimit të jetës fetare brenda xhamisë të cilën imami e drejton, pasi që siç mëson Insajderi këta tre persona nga organet e rendit konsiderohen si ekstremistë fetarë.

Ndërsa, gjendja e imamit kosovar ishte e tmerrshme dhe shqetësuese, ‘Gjakderdhje, thyerje, lëndime të rëndë në të gjitha anët e kokës‘,-janë disa nga lëndimet e rënda të cilat i mori imami llapjan pas sulmit brutale të vëllezërve Murturi.

Policia e Kosovës ka dalë me raport për sulmin ndaj imamit, ku tregohet se rasti në polici ishte raportuar nga vet imami Zeqir Berisha.

“Podujevë 21.07.2022.22:00.  Viktima mashkull kosovar ka njoftuar se ishte sulmuar nga tre të dyshuar meshkuj kosovarë. Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për tretman mjekësor në QKUK. Lidhur me rastin të dyshuarit janë arrestuar dhe pas intervistimit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

Ndërkohë, zyra për informim e Policisë së Kosovës ka konfirmuar për Insajderin se mosmarrëveshjet mes palëve kanë nisur kohë më parë.

Në prill të viti 2021, ishte incidenti i parë në mes palëve, i cili me vendim të prokurorit ishte iniciuar si prishje e rendit dhe qetësisë publike.

Policia e Kosovës kishte marrë masa ndaj të dyshuarve ku njërit prej tyre i ishte shqiptuar gjobë.

“Një rast në prill të vitit 2021, mes këtyre personave ka qenë një ‘prishje e rendit dhe qetësisë publike”. Rasti është trajtuar nga Policia dhe të dyshuarit i është shqiptuar gjoba”, thuhet në përgjigje e ZIMP dhënë Insajderit.

Po ashtu, Policia ka trajtuar edhe një informatë për një mosmarrëveshje në fillim të këtij muaj, ku të përfshirë kanë qenë personat e njëjtë.

Por, bazuar në rekomandimin e prokurorit të shtetit nuk ishte inicuar rast pasi nuk kishte element të veprës penale

“Në fillim të këtij muaji, ka qenë një mosmarrëveshje ne mes dy palëve. Rasti është raportuar, janë marrë masat dhe në koordinim me prokurorin nuk është iniciuar rast sepse nuk ka pasë elemente të veprës penale”, thuhet në përgjigjet e ZIMP dhënë Insajderit.

Shkaku që kishte dërguar në konflikti mes vëllezërve Murturi dhe imamit Berisha kishte qenë mënyra e faljes së namazit.

Rasti e ka dënuar edhe Bashkësia Islame e Kosovës

Përmes një komunikate për media BIK-u ka dënuar sulmin e rëndë që ndodhi ndaj imamit, Zeqir Berisha.

“Dënojmë me ashpërsinë më të madhe sulmin mbi imamin e xhamisë së fshatit Lupç, të komunës së Podujevës, Zeqir ef. Berishës. Sulmi i mbrëmshëm mbi imamin në hapësirat e xhamisë, në vendin e tij të punës, është akt i papranueshëm, madje përveçse sulm mbi imamin është edhe atak mbi xhaminë dhe xhematin e respektuar”, thuhet në komunikatë.

BIK-u iu ka bërë thirrje qytetarëve të distancohen nga ky sulm, dhe drejtësia ta thotë fjalën e saj.

“Imami është autoriteti më i lartë fetarë në xhematë, andaj atakimi i tij është atakim i vlerave dhe misionit që përfaqëson ai, e në këtë rast është edhe atak mbi Bashkësinë Islame të Kosovës. Mbështesim dhe i qëndrojmë afër imamit të respektuar, e nga xhemati kërkojmë që të distancohen nga autorët e sulmit, ndërsa nga organet e drejtësisë kërkojmë që të japin vendimet e duhura, sepse është sulmuar imami – autoriteti zyrtar fetar në vendin e tij të punës, si dhe është atakuar hapësira e xhamisë, e cila është e dedikuar për lutje e ibadete”, vijon komunikata.

Fillimisht rasti ishte iniciuar si “lëndim i rëndë trupor” por vetëm pastaj me sugjerim të prokurores për Krime të Rënda rasti është duke u hetuar si “vrasje në tentativë”.

ngjashme