[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Nisma e akuzon Mytaher Haskukën për emërime familjare në Drejtorinë e Arsimit



Nisma Socialdemokrate ka reaguar ndaj Komunës së Prizrenit, përkatësisht kryetarit Mytaher Haskuka për parregullsitë në Drejtorinë Komunale të Arsimit.

Me anë të një shkrimi në Facebook, Nisma në Prizren thotë së pjesën më të madhe të komisioneve të konkurseve për mësimdhënës në DKA-në e Prizrenit, kryetar i komisioneve është emëruar drejtori i shkollës së Krajkut “Mit’hat Frashëri”, Hemë Çoçaj, ndërsa bashkëshortja e tij Shqipe Shatri është emëruar kryetare e komisionit të ankesave dhe parashtresave në të njëjtat konkurse, e cila është sekretare e shkollës “Zenun Çoçaj” në Gjonaj.

“Pra, Hemë Çoçaj dhe Shqipe Shatri janë çifti nga Prizreni të cilët po mbajnë dy pozitat kryesore në Drejtorinë Komunale të Arsimit (DKA) në këtë komunë. Ndonëse, sipas ligjit 06/L-011 për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, thotë se dy anëtarë të së njëjtës familje nuk mund të punojnë në të njëjtin vend”, thuhet në postim.

“Ligji 06/L-011 për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik i cili precizon saktë se nuk mund të emërohen në funksione publike dy anëtarë të së njëjtës familje, në organe që kanë objekt shqyrtimi lëndë të njëri-tjetrit.Nuk është parë ndonjëherë deri më sot që bashkëshorti të emërohet kryetar i komisionit në konkurse, ndërsa bashkëshortja e tij të emërohet për të njëjtat konkurse kryetare e komisionit të ankesave. Këto emërime janë në shkelje të plotë ligjore 06\L-011 për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik”, thotë Ligji.