Shefi i Stafit të kryeministrit Kurti, Luan Dalipi, nëpërmjet një shkrimi në Facebook, sot ka sulmuar mediet në Kosovë, duke i lidhur ato me “biznese kriminale”, dhe duke u bërë thirrje atyre që ai i ndanë në “qytetarë të dinjitetshëm”, t’i bojkotojnë ato.
Ai ka shkruar se si ato kanë fituar shuma të mëdha nga buxheti i shtetit, dhe se tash nuk do të fitojnë më, shkruan Botapress.
Sipas deklarimit të pasurisë që Dalimi e ka bërë publik në Agjencinë Kundër Kërrusnit, figuroni se është konsulent në kompaninë “Management Development Associates” (MDA), prej të cilës përfiton në vit 27 mijë euro në vit. Ka deklaruar se është themelues i kësaj kompanie dhe deri në vitin 2017 ka qenë edhe aksionar. Aktualisht ka shkruar se është veç konsulent.
Periskopi ka gjetur se MDA para dy viteve ka fituar dy tender nga institucionet publike, gjegjësisht nga Komuna e Podujevës dhe Drenasit.
“Ngritja e Strategjisë së Zhvillimit Ekonomik Lokal 2019 2021 e Komunës së Podujevës”, quhet tenderi që ishte lidhur më komunën e Drenasit në vlerë prej 17 mijë e 900 euro.
Ndërsa “Hartimi i Strategjisë së Zhvillimit Ekonomik Lokal të Komunës së Drenasit për Periudhën Afatmesme 2020 -2024”, quhet tenderi që është lidhur me Drenasin në vlerë prej 10 mije eurove.
Para pak viteve, Dalipi ishte akuzuar për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, por ishte liruar nga Gjykata e Apelit.
Sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Xhemajl Syla si udhëheqës i divizionit për mbështetje të bizneseve në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) dhe Luan Dalipi, drejtor në kompaninë “Managment Development Association” (MDA), kanë shfrytëzuar detyrën e tyre zyrtare me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për kompaninë “MDA”.
Kjo kompani, ka ofertuar në tenderin “Rritja e aftësisë konkurruese të sipërmarrjeve dhe promovimi i eksportit”, financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian, në vlerë prej dy milionë euro, në atë mënyrë që sipas marrëveshjes paraprake, pasi që është publikuar njoftimi për kontratë, të pandehurit gjatë muajve korrik, gusht dhe shtator 2013, kanë shkëmbyer dokumente të brendshme të MTI-së, lidhur me kushtet dhe kriteret për tender.
Sipas aktakuzës, më 4 tetor 2013, Xhemajl Syla, ka dërguar informacione konfidenciale tek Dalipi, për procesin e vlerësimit të ofertave në këtë tender duke e njoftuar për përparësitë e kompanisë MDA, krahas kompanive tjera konkurruese në këtë proces.
Sipas pretendimeve të prokurorisë, Xhemail Syla ka vazhduar që t’i dërgojë informacione të njëjtit, të cilat Dalipi i kishte përdorur për përgatitjen e ofertës për procesin e përsëritur të prokurimit.
Prokuroria, Xhemajl Dalipin e akuzon edhe për veprën penale “keqpërdorimi i informatës zyrtare”.
Por, Apeli një vendim të tillë nuk e ka marrë për të akuzuarin tjetër në këtë rast Xhemajl Syla, për të cilin është një proces gjyqësor në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Procesi është duke vazhduar akoma, ndërsa Luan Dalipi ka qenë i ftuar para pak ditësh në një seancë si dëshmitarë.