Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës së djeshme kishte një darkë joformale me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, së bashku edhe me të dërguarin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Ky takim u kritikua në Kosovë për faktin që Kurti ishte zotuar se nuk do të ulej në një tavolinë me Vuçiqin, pa zbardhjen e çështjes së të pagjeturve. Këtë deklaratë, Kurti e përsëriste shpeshherë edhe kur ishte i shoqëruar me përfaqësueset e shoqatave “Thirrjet e Nënave” dhe “Gjakova 98-99”.
Në secilin takim që kishte si opozitar, Albin Kurti në të kaluarën i kritikonte bartësit e institucioneve për dialogun me Serbinë, duke u zotuar se ai në asnjë rrethanë nuk do të ulej për të dialoguar, pa kërkuar falje Serbia për krimet që i kishte bërë në Kosovë dhe pa zbardhjen e fatit të të pagjeturve.
Këto deklarata të tij e kishin gjithmonë edhe mbështetjen e shoqatave “Thirrjet e Nënave” dhe “Gjakova 98-99”, të cilat sikur edhe shumë shoqata të tjera, vazhdojnë të kërkojnë drejtësi për krimet që Serbia i ka kryer në Kosovë.
Në takimin e fundit gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve parlamentare, kur Kurti kishte shkuar për vizitë në shtëpinë e saj, Nesrete Kumnova i kishte dhënë mbështetje të qartë atij, duke u shprehur e bindur se me Kurtin kryeministër do u ktheheshin shpresat për drejtësi lidhur me më të dashurit e tyre të zhdukur gjatë luftës.
E kontaktuar për ta marrë një qëndrim rreth takimit të djeshëm të Kurtit me Vuçiqin, Kumnova uljen në tavolinë të Kurtit me Vuçiqin nuk po e sheh më si gabim.
Drejtuesja e organizatës “Thirrjet e Nënave” në Gjakovë, në një prononcim është shprehur e bindur që Kurti nuk gabon lidhur me çështjen e të pagjeturve.
“Unë po flas personalisht dhe po e jap mendimin tim, sepse tash ne nuk jemi edhe politikane, por jemi veç nëna. Normal që zotëri Kurti e njeh shumë mirë çështjen e të pagjeturve. Edhe normale që ka premtuar Kurti, që prioritet do ta ketë edhe çështjen e të pagjeturve. E tash këto takime që po i bën, a i bën të ndara apo si i bën, janë vetëm formale. Mendimi me i analizu që a është ka i bën mirë, a është duke gabuar, por çka është, unë jam shumë e vetëdijshme edhe e njoh prej fillimit zotëri Kurtin. Edhe ai e ka vuajtur edhe vetë arrestimin, burgun e krejt”, është shprehur Kumnova.
Kumnova ka shtuar se do të kërkojë personalisht nga kryeministri Kurti të dijë në detaje se çfarë është diskutuar në këtë darkë.
“Unë po flas si nënë. Edhe unë mendoj që nuk ka bërë gabim që u ul dhe shpresoj që e ka ngrit edhe çështjen e të pagjeturve, edhe pse nuk jemi takuar edhe nuk di kurgjo hiç çka ka ndodhur ose çka kanë fol. Sepse, nuk jam edhe aq në ngjarje për me ta dhënë një përgjigje të sigurt. Kështu që, nuk dua me gabu. Unë do të shikoj dhe do të kërkoj drejtpërdrejt nga Kurti informacione se përse u ul ashtu, çka ka bisedu”, theksoi tutje Kumnova.
Darkën e Kurtit me Vuçiqin nuk po e sheh të gabuar as Shkëndije Hoda nga Shoqata për Krimet e Luftës, “Gjakova 98-99”.
Sipas saj, kërkimfalja, zbardhja e fatit të të pagjeturve, dëmshpërblimi e zbardhja e të gjitha krimeve të bëra gjatë luftës në Kosovë, nuk mund të bëhen në distancë.
Hoda në një prononcim për Demokracia.com theksoi se nuk e sheh si negativ faktin që Kurti ka darkuar me Vuçiqin, pasi që sipas saj kjo darkë është zhvilluar në prani të ndërkombëtarëve.
“Për me ardh te një dialog, edhe me i arrit të gjitha këto që i përmende ti, deri te gjetja e të zhdukurve, deri te dëmshpërblimi e deri te falja e kërkimfalja, patjetër që duhet me u ul e me bashkëbisedu me të. Unë nuk shoh asgjë negative, duke e pas parasysh që edhe kryeministrat e kaluar, edhe presidentët e kaluar, kanë pasur takime për të njëjtin qëllim. Unë nuk shoh diçka, vetëm le të jetë një takim i frytshëm, i suksesshëm dhe që nuk na i lëndon familjarët. Ky është qëllimi. Se nëse e ka pas një takim, unë i pashë reagimet, për mua nuk është shumë negative. Nuk mundet me bashkëbisedu në distancë, pa u ul në tavolinë. Duhet me pas parasysh edhe atë që nuk është ulun vetëm, por me prezencën e palës së tretë, pra me ndërkombëtarët. Por, nuk nuk shoh diçka negative, do me thënë që mund të ndodhë diçka e keqe për çështjen e Kosovës e sidomos për këtë çështjen e të zhdukurve, të vrarëve e krimeve të kryera, dhunimeve”, theksoi Hoda.
Darka e kryeministrit Albin Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka nxitur reagime të shumta, si nga partitë opozitare, ashtu edhe nga shoqëria civile.
Opozita dhe shoqëria civile e kritikuan Kurtin për shkeljen e parimit dhe deklaratave që vetë i kishte dhënë dikur. Madje, Kurti kishte deklaruar se nuk do të ulej në një tavolinë me Vuçiqin pa asnjë kusht, siç kanë bërë politikanët kosovarë në të kaluarën. /Botapress.info/