[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Nesër nisin gërmimet për varrezë masive në Mitrovicë



Të enjten më 16 shkurt do të nisin gërmimet në oborrin e xhamisë afër lumit Ibër në qytetin e Mitrovicës, e cila u shkatërrua gjatë luftës së fundit, pasi që dyshohet se aty mund të ketë varrezë masive.
Kështu ka bërë të ditur për Ekonomia Online, kryetari i Komisionit për të Pagjeturit, Prenk Gjetaj, i cili tha se këto gërmime do të bëhen në bashkëpunim me mjekët ligjorë, Policinë e EULEX-it dhe atë të Kosovës.

“Sipas informatave që disponojnë institucionet përgjegjëse, dyshojmë që në atë vend ka mbetje mortore. Është caktuar data 16 shkurti për gërmimin vlerësues, i cili do të bëhet në bashkëpunim të ngushtë me EULEX-in dhe organet kompetente vendore”, ka thënë Gjetaj.

Edhe Zyra e EULEX-it e konfirmon se gërmimet në Mitrovicën e veriut, do të fillojnë shumë shpejt, pa dhënë ndonjë datë.

Në përgjigjën që zyra për media e këtij institucioni i kanë dhënë Ekonomia Online thuhet se, “vlerësimi i atij vendit do të bëhet në një të ardhme të afërt”.

Këto gërmime kanë qenë të planifikuara të fillojnë në nëntor të vitit të kaluar, por edhe në janar të këtij fillim viti.

Arsyeja e mos fillimit të punës sipas zyrtarëve kompetent kishte qenë çështja e motit të lig.

Nga numri i përgjithshëm i personave që llogariten si të zhdukur që nga përfundimi i luftës në Kosovë më 1999, kanë mbetur edhe 1800, për fatin e të cilëve nuk dihet asgjë.

Kosova dhe Serbia deri më tash kanë zhvilluar një sërë takimesh teknike për të ndihmuar në ndriçimin e këtyre rasteve, por rezultatet deri tash kanë qenë të pakta.