Presidentja e vendit, Vjosa Osmani i ka ftuar për nesër në takim përfaqësuesit e partive parlamentare, ku do të diskutohet për rekomandimin e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik për shtyrjen e zgjedhjeve lokale të 17 tetorit.
Partitë politike e kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në këtë takim, mirëpo opozita po e kundërshton me çdo kusht opsionin e shtyrjeve të zgjedhjeve lokale.
Përfaqësues të PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe NISMA-s po e vlerësojnë si suspendim të demokracisë shtyrjen eventuale të zgjedhjeve.
Madje ftesa drejtuar partive politike për këtë takim nga shumëkush po vlerësohet si favor që po i bëhet partisë në pushtet nga ana e presidentes.
Vet kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca në një interviste televizive e kishte nxjerrë në publik idenë për shtyrjen e zgjedhjeve për shkak të situatës me pandeminë. Në anën tjetër, pikërisht në kohën e pandemisë janë mbajtur edhe zgjedhjet nacionale të 14 shkurtit.
Zyrtarë të afërt me presidenten kanë thënë se Vjosa Osmani nuk do të marr vendim arbitrar për shtyrjen e zgjedhjeve lokale.Takimi i ftuar për nesër do të mbahet nga ora 17:00.
Shumica e partive janë pajtuar me shkurtim të fushatës zgjedhore.Poashtu janë bërë pothuajse të gjitha përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve të 17 tetorit./Botapress.info/