Ndonëse u tha se kishte përmbushur të gjitha kriteret Kosova ende përballet me kufizim të lëvizjes.
Çështja e liberalizimit të vizave për kosovarët do të jetë në rend të ditës në takimin e grupit punues të Këshillit Evropian, më 13 tetor, kryesimin e së cilës do të ketë Republika e Çekisë, e cila kërkoi diskutimin e kësaj teme në këtë takim.
Ministri i jashtëm çek në Prishtinë thotë disa fjalë për liberalizimin e vizave
Në këtë takim, a do ta ketë përgjigje pozitive për liberalizim të vizave?
Sipas Bekim Çollakut, Kosova i pati përmbushur kriteret për liberalizim të vizave qysh para gjashtë vjetësh, porse mungonte një vendimmarrje përfundimtare.
“Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave në vitin 2016. Menjëherë pastaj, në muajin maj të po atij viti, Komisioni Evropian ka dhënë rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave i cili është mbështetur edhe nga Parlamenti Evropian. Mirëpo vendimmarrjen përfundimtare e ka bllokuar Këshilli Evropian duke e mbajtur Kosovën dhe qytetarët të izoluar për më tepër se gjashtë viti”, tha ai për KlanKosova.tv.
E nga ky takim i 13 tetorit, sipas Çollakut më në fund mund të presim një përfundim pozitiv.
“Ky izolim dhe diskriminim ka qenë i padrejtë dhe duhet të marrë fund. Takimi i radhës i Këshillit të BE-së është një mundësi e radhës që BE të marrë një vendim përfundimtar pozitiv për liberalizimin e vizave i cili është i vonuar por i mirëseardhur”, tha Çollaku.
Ndërkaq, analisti Gazmir Raci thotë se duke ditur procesin e vonuar teknik mund të ketë vonesa edhe në liberalizimin e vizave.
“Mund të jepet një përgjigje pozitive në takimin e 13 tetorit por duke ditur procesin teknik, kjo mund të marrë kohë së paku edhe gjashtë muaj tjerë”, thotë Raci.
I pyetur se cila mund të jetë koha kur do të lëvizin qytetarët e vendit, Raci përmend edhe një muaj.
“Duke ditur takimin e Këshillit të BE-së në tetor dhe të radhës pas tre dhe gjashtë muajve, muaji maj besoj se përfundimisht do të japë lirinë e lëvizjes për qytetarët e Kosovës”, thotë ai për KlanKosova.tv.
E Çollaku shprehet pesimist për kohën kur mund të ndodhë liberalizimi i vizave duke ditur edhe përvojën e hidhur me BE-në.
“Përvoja e hidhur e BE në këtë proces, nuk lë hapësirë për entuziazëm, prandaj nuk mund të spekulojmë për një vendim që nuk varet nga ana e jonë, mirëpo varet tërësisht nga BE-ja”, tha Çollaku.
Menjëherë pas marrjes së vendimit për takimin e 13 tetorit të Këshillit të BE-së, pati reagime për meritat e atyre që e sollën vendin deri në këtë pikë.
Partitë opozitare komentuan se edhe pse ky vendim mund të merret në kohën e qeverisjes së LVV-së, meritat nuk i takojnë asaj duke ditur edhe mungesën e njohjeve dhe aplikimin në organizata ndërkombëtare.
Njëjtë mendon edhe Çollaku, sipas të cilit meritat i takojnë qindra zyrtarëve shtetërorë të cilët punuan për përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave që nga viti 2012.
“Kurdo që të ndodhë vendimi pozitiv përfundimtar për liberalizimin e vizave, meritat iu atribuohen qindra e mijëra zyrtarëve shtetërorë të cilët kanë punuar në mënyrë sistematike për përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave që nga viti 2012 e deri në vitin 2016, respektivisht 2018”, tha ish-ministri i Integrimit Evropian.
Ndërkaq, sipas Racit përveç që s’mund t’i lihen të gjitha meritat qeverisjes aktual. Në anën tjetër në disa pika është ajo që tregoi disa anë pozitive të progresit shtetëror që mund t’i ketë bindur shtetet fqinje.
“Për liberalizimin e vizave, meritat s’mund t’i lihen të gjitha qeverisë Kurti, edhe pse me luftën kundër krimit dhe korrupsionit ka bërë që shumë shtete të binden në mirëfunksionimin e vendit”, përfundoi raci.
Kujtojmë se javës së kaluar edhe Franca, Gjermania e Polonia përmes një deklarate të përbashkët kanë bërë thirrje për progres në procesin e liberalizmit të vizave për Kosovën.