[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Në Vushtrri, prindërit kërkojnë ushqim nëpër kontinjerë për tri vajzat e mitura (Foto)



Buka iu mungon në sofër e të ftohtit depërton në dhomat e tyre nga xhamat e thyer të dritareve të vjetra ku po strehohen në shtëpitë gërmadhë. Në fshatin Druar (ish-Dërvar) të Vushtrrisë familja e Raza Bojkut nuk kanë shtëpi, nuk kanë ushqim, nuk kanë veshmbathje, kurse ushqimin e kërkojnë edhe nëpër kontinjerë.

Raza, nënë e tri vajzave të mitura lutet që këtë dimër qytetarët mos ta lënë pa bukë e dru. Ajo ka ulur në një qoshe dy vajzat e saj, njërën katër vjeç dhe tjetrën tre vjet , derisa në tokë mban një mbulesë ku po gatuan bukë për to nga mielli që dikush i ka sjellë.

Në një shporet të zi, ajo po fut ca dru të vetmet që ta ngrohë furrën, nga e cila dy vajzat e mitura presin me padurim të dalë buka. Ato nuk kanë me çfarë ta lyejnë bukën. Por nuk nxjerrin naze pasi që Raza tregon se shpesh nuk ka as çfarë t’iu japë për ushqim.

Image

Duke kursyer bukën e gojës së saj, ajo thotë se shpesh nuk ka qumësht gjiri për vajzën e vogël nga kequshqyerja dhe detyrohet të marrë hua në dyqanin e fshatit qumësht për të rritur dhe t’ia japë vajzës tremuajshe.

“Nuk kam mundësi t’ia zgjedh qumështin, i jap çfarë më qëllon dhe është më lirë. Pasha Zotin veç kur po na falin të tjerët miell se mbesim dhe pa bukë”, thotë ajo duke rrëfyer se si ju bie si prindër që dhe në mbeturina të kërkojnë ushqim apo veshmbathje për vajzat e vogla.

Në mbeturina kërkojnë ushqim apo veshmbathje për vajzat e mitura

“Pasha këtë bukë, edhe duart nëpër fëlliqët po detyrohet burri t’i shtijë që të lypë diçka mos po gjen”, thotë ajo.

Raza thotë se me një ndihmë sociale prej 91 eurove nuk mund të blejë asgjë, as veshmbathje për tri vajzat e mitura të saj. Edhe drutë për ngrohje i mungojnë.

Kurse energjia elektrike jo rrallë i ndërpritet në pamundësi që ta paguajë.

Image

“Burri im punon herë me kali herë qysh ta thërrasin ndonjë punë krahu”, thotë ajo.

Gjithë pasuria e tyre është një karrocë dhe kali. Por bora ka pamundësuar që bashkëshorti i saj të dalë këto ditë dhe t’i bartë dikujt gjësende me kali për të sjellë bukë në shtëpi.

Raza thotë se në këtë dhomë jeton me bashkëshortin, tri vajzat dhe kunatin 17-vjeçar. Madje në këtë ftohtë të gjithë flenë bashkë në këtë dhomë, ajo, burri, kunati dhe tri vajzat.

Ajo tregon se as kjo dhomë ku janë dhe kjo shtëpi e vjetër nuk është e tyre.

“Është shtëpi e serbit, neve na u dogj shtëpia dhe pas luftës nuk patëm ku ta fusim kokën, hymë këtu sa për strehim”, thotë ajo.

Image

Mirëpo, as këtë strehim nuk e kanë të sigurt. Derisa të gjithë luten që në këto ditë të ftohta dhe me acar dimri të ndalet bora, e rrugët të bëhen të kalueshme, ajo lutet që të bjerë borë e rrugët të bëhen të pakalueshme se ndoshta HABITAT-i nuk mund të kalojë dhe t’i largojnë nga kjo shtëpi.

“Vijnë na mbyllin dyert me qelës këta të Habidatit, po duhet ta thyejmë e të hyjmë, ku të rrimë, përpos këtu s’kemi as shtëpi dhe asgjë të gjallë para vetës”, tregon ajo derisa thotë se nuk ka as veshmbathje, vajzën e saj, Violën katër vjet, Ganimeten tri vjet dhe Morenën tremuajshe.

“Vetëm kush na jep rroba, as për vete kurrë s’kam ble të reja se lëre më për vajzat”.

Image

Të gjithë flenë me një dhomë

“Nuk po kemi mezi ia dalim me atë kali të mbijetojmë herë bën, herë nuk bën”. Në shtëpinë e çarë kudo, e cila ka vetëm një dhomë dhe një kthinë që përdoret si tualet ajo lan vajzat me një kusi që e ngroh mbi shporetin e zi.

“Nuk kemi bojler, nuk kam as rroba ku t’i laj, shyqyr që brenda këtyre mureve ka një gyp që nxjerr ujin jashtë se nuk e di si do t’ia bënim dhe për t’u larë apo larë rrobat kur bie shi e borë, se verës dal në oborr i pastroj”, thotë Raza.

Image

Ajo madje e ndihmuar nga vajza e “madhe” katër vjeçe ia ka vendosur të vetmes dhomë që kanë një ngjitës në derë që të mos depërtojë të ftohtit. Dritaret janë mbyllur me copa pakosh duke zëvendësuar xhamat e thyer, e të cilët Raza thotë se nuk mund t’i shohë as ëndërr se kur do të mund t’i rregullojë.

Kunati i saj 17-vjeçar nuk ka mundësi ekonomike të shkojë shkollë. Ai ka ndërprerë shkollën.

“As për vajzat nuk kemi lodra t’iu blejmë, as në çerdhe të shkojnë, as libra për të ndjekur shkollën kunati para s’kemi”.

E Viola sapo dëgjon të ëmën teksa flet për lodra kërkon një kukull. “Qeni nuk rri ku jemi duke qëndruar ne”, thotë Raza, nëna e tri vajzave.

Për të interesuarit që duan të ndihmojnë, numri i kontaktit të kryefamiljarit është:  049 187 063

Image

Image

Image

Image

Image

Image

Image

Image

Image

Image

Image

Image

Image

Image

Image