[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Në natën e tretë të “Talia e Flakës” u dha shfaqja “Aktori në kuti”



Gjilan, 26 janar 2017 – Në mbrëmjen e tretë të Festivalit të Dramës Kombëtare “Talia e Flakës” që po mbahet në kuadër të “Flakës së Janarit 2017” është dhënë shfaqja “Aktori në kuti” me autor, regjisor dhe aktor Mentor Zymberajn.

Kjo shfaqje që ka arritur suksese të mëdha, brenda dhe jashtë vendit, ngase nga 27 festivale në sa ka marrë pjesë, ka arritur të marrë 21 çmime. Mentor Zymberaj, pedagog i artit, është autor i dhjetë monodramave, zhanër që ai e kultivon shumë për të mos ia zgjatur dorën askujt, kurse siç ka theksuar edhe vetë kryeprotagonisti, me këtë shfaqje është munduar që të ketë një qasje origjinale dhe pavarësi artistike.

Për 50 minuta, sa ka qëndruar në skenë, Mentor Zymberaj, që ka luajtur rolin e aktorit, ka shpërfaqur problemet me të cilat përballet aktori që nga paslufta e këtej edhe pse ishte menduar se me ardhjen e lirisë edhe për aktorët do të vijnë ditë më të mira, por zhgënjimi ishte i shpejtë dhe kjo shfaqje vjen edhe si revoltë me situatën në artin skenik tek ne.

Josif Papagjoni, dramaturg nga Shqipëria, ka thënë se kjo është një shfaqje që funksionon, me një tekst ku arti tradhton vetveten dhe ku në lojën e aktorit kishte valëzime e lëvizje të tonit që ishte me vlerë e ku muzika është element domethënës dhe që e begaton shfaqjen.

Sadri Daku, dramaturg, tha se me këtë shfaqje Zymberaj paraqet revoltën, krenarinë e dinjitetin për profesionin, derisa dramaturgu tjetër Agron Gërguri këtë shfaqje e ka cilësuar emblematike.

Regjisorja nga Shqipëria Alma Poti, tha se në këtë shfaqje është trajtuar një problematikë e fortë dhe ka kërkuar që t’i jepet shpirt e jetë monodramave në këtë formë siç e bëri Zymberaj.

Edhe Miho Gjini nga Shqipëria, për Mentor Zymberajn tha se ai është një artist i formuar dhe se ai di të ruaj freskinë dhe të performojë i ndarë në katër pjesë. Ai di të shpërfaq fatin e artistit në rrethana ekstreme dhe ai është mjeshtër i skenës.

Lidhur me këtë shfaqje ka folur edhe Orhani, aktor nga Turqia, i cili të gjithë ata që nuk e panë këtë shfaqje ua ka bërë me dije se kanë humbur shumë. Ai ka thënë t’i ketë pëlqyer teksti, dramatik dhe loja e aktorit.

Në mbrëmjen e radhës, të katërtën do të jepet shfaqja “Ikja nga Gjermania“,  i Tetarit të Qytetit të Prishtinës “Dodona”, me tekst të Ilir Ajdinit e regji të Kastriot Saqipit.