[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Në janar Arsimi pritet të raportojë për arsimin (VIDEO)



Ka kaluar një muaj që kur është dorëzuar kërkesa për interpelancë në Kuvend, ku do të raportonte për gjendjen në arsim ministri i arsimit, Arsim Bajrami. Kuvendi nuk ka kthyer ende përgjigje se kur do të mbahet seanca për arsimin.

Ndonëse, Kosova u përfaqësua dobët në testin ndërkombëtar PISA, seanca për gjendjen në arsim nuk u diskutua që të mbahet gjatë muajit dhjetor të 2016-ës.

Anëtari i komisionit parlamentar për arsim, Ismajl Kurteshi, nga radhët e “Vetëvendosjes”, i cili ka dorëzuar kërkesën për interpelancë për arsimin, ka thënë për “Zërin” se pothuajse po bëhet një muaj që nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

“Po shpresojmë që tash kur të fillojë Kuvendi që të punojë në pjesën e dytë të janarit, interpelanca do të vijë në rend dite dhe aty do të diskutojmë për shkaqet që e kanë sjellë arsimin në këtë gjendje dhe natyrisht do të propozojmë rrugëzgjidhje nga kjo situatë”. Kurteshi ka thënë se në fund të seancës do të nxirret edhe një përfundim, konkulzat që Kuvendi duhet të përkrahë. “Dhe në këtë mënyrë duhet të fillojë një punë e mbarë e ndërrimit të gjendjes të cilën e kemi në arsim”, ka thënë Kurteshi. Sipas tij duhet të ndërmerren një varg masash.

“Duhet të ndërmerren masa sepse nuk kemi shumë për këto strategji pompoze që po shpenzojnë të holla dhe kohë. Mendojë që do të duhet një vullnet i madh i të gjithë atyre që janë përgjegjës për arsim duke filluar prej ministrit të arsimit e duke bartur përgjegjësi në nivele të shkollës”, ka thënë Kurteshi. Sipas tij, shkollat duhet të kenë më shumë kompetenca, duke filluar nga drejtori i shkollës dhe mësimdhënësit. “Do të kërkojmë plotësim të kushteve, investime më shumë në arsim, por në të njëjtën kohë edhe përcjellje dhe mbikëqyrje të punës së mësimdhënësve, ngritjen e bashkëpunimit të mësimdhënësve me prindër…Do duhej të ishin disa forma të monitorimit duke filluar prej drejtorëve të shkollave, inspektorëve të arsimit dhe mekanizma tjerë të kontrollimit, por natyrisht dhe stimulimit të mësimdhënësve dhe nxënësve”.

Kurteshi thotë se është i domosdoshëm edhe një angazhim më i madh i kompetenteve që herët t’i orientojnë fëmijët në drejtimet ku ata do të ishin më të suksesshëm. Kurse, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, ka shprehur siguri se vlerësimi i testit PISA do të shënojë një progres të ngritjes së cilësisë. PISA 2018, Bajrami ka thënë se do të shënojë ngritje të cilësisë, dhe sipas tij kjo do të dëshmohet me këtë vlerësim. Për testin PISA, ai ka thënë se ka qenë kërkesë e tij menjëherë pas marrjes së mandatit, në mënyrë që të ketë një matje reale sa i përket cilësisë në arsim. Mirëpo, Jonuz Salihaj, njohës i arsimit dhe udhëheqës i departamentit për arsim në AAK, thotë se MASHT-i nga viti 2008 është mjaftuar vetëm me hartimin e strategjive por asnjëherë nuk është mërzitur se si të realizohen ato.

“Nuk ka krijuar kurrfarë mekanizmash të zbatimit, ato thjesht janë përdorur sa për retorikë politike. Nuk mund të pritet cilësi nga ata që e kanë zaptuar çdo nivel të arsimit me nepotizëm dhe joprofesionalizëm”, ka thënë ai.  Jonuzaj ka thënë se ka mospërfshirje të fëmijëve në arsimin parashkollor, sidomos në atë parafillor. Madje, ai thotë se edhe programet janë joadekuate arsimore, një kurrikulë që sipas tij vazhdimisht pilotohet, kuadro të dobëta arsimore, menaxhimit të dobët të shkollave tona, ndërhyrjeve të vrazhda politike…, etj.