[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Në fshatin Ratkoc përkujtohet 18 vjetori i rënies së dëshmorit Sahit Krasniqi (Foto)



Botapress, 29 Janar

Me 29 janar 1999 në Rugovë të Hasit, Bistrazhin dhe Goden mbetën të vdekur 27 ushtarë të UÇK-së dhe 3 martirë, shkruan Botapress.

Në mesin e dëshmorëve që mbetën të vrarë këtë ditë ishte edhe Sahit Krasniqi nga fshati Ratkoc i Rahovecit.

Më 27 janar të vitit 1999 Sahit Krasniqi gjendet në Shqiponjë. Pas luftimeve të ashpëra sa në vijën: Shaptej – Gramaçel – Baballoq e Gllogjan, aq edhe në Dushkajë e Cermjan të Fadil Nimanit – Tigrit e të Agim Zenelit, e deri te Gurëzit e Kralanit, komandanti Agim Zeneli – Çergashi, vendosi që edhe njëherë  të  udhëtohet  për  në  Shqipëri,  sa për t’i dërguar shokët e plagosur, aq edhe për t’u riarmatosur në ndonjërën prej punkteve për furnizim. Kështu, më 27 janar, thyejnë shtigjet luftëtarët e lirisë deri te Ura e Drinit. Së bashku i patën thyer pritat nëpër Dushkajë e Cermjan, Rakovinë e Kromnik , Çifllak e Bishtagjin, Lipavec e Goden. Sahiti plagoset dhe kështu, luftim pas luftimi, e fitore pas fitoresh, nëpër ditarë mbushi faqet për Urën e Terzisë, për beteja mbi ura e nën ura, vetëm e vetëm që të mos mbetet urë e vig, që të mos mbetet va e pa va. Por në çdo pritë bashkëluftëtarët e Sahit Krasniqit kishin të vrarë e të plagosur. Dimri i madh i janarit, numri  i madh i ushtarëve serboçetnikë dhe Drini i Bardhë, e detyrojnë njësitin që të kthen në Rogovë ku në luftime të pabarabarta merr përjetësinë Sahit Krasniqi i Drinasit së bashku me: Agim Zenelin, Agron Ramën, Sejdi Ramën, Emrush Çetën, Bahtjar Morinën, Daut Kelmendin, Gaspër Karaçin, Agush Gjocajn, Gëzim Ademajn, Hamdi Berishën, Pren e Memë Lleshin, Haxhi Kleçkën, Luan Smajlin, Ilir Merturin, Kasim Shalën, Naim Berishën, Valon Gashin e Vesel Abdylin, ashtu siç i ka ravijëzuar rapsodia popullore.

Dëshmorët që ranë 18 vjet më parë sot u përkujtuan në Rugovë dhe në Gjakovë u organizua akademi përkujtimore.

Por Sahitin e përkujtuan dhe i bën homazhe te varri edhe bashkëluftëtarët e bashkëfshatarët e fshatit Ratkoc.

Në mesin e atyre që bën homazhe te varri i dëshmorit Sahit Krasniqi në fshatin Ratkoc ishte edhe ministri i Diasporës, Valon Murati. /Botapress.info

 

IMG_0333 IMG_0335