Pas afro dy javësh nga vendimi i Qeverisë së Kosovës për reciprocitet ndaj Serbisë, më 30 shtator u arrit marrëveshja e targave.Në një takim të mbajtur në Bruksel është arritur marrëveshja për targat përmes së cilës automjetet që hyjnë në Kosovë apo anasjelltas duhet të vendosin stikersat.
Diskutimet lidhur me zhvillimet që kishin të bënin me veriun e Kosovës dhe vendosjen e reciprocitetit u zhvilluan në mes përfaqësuesit të palës kosovare, Besnik Bislimi si dhe atij të palës serbe, Petar Petkoviq, nën drejtimin e Bashkimit Evropian apo të dërguarit special për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Por kur pritet të zhvillohet takimi i radhës në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd?
Të kontaktuar nga lajmi.net, nga Bashkimi Evropian nuk kanë saktësuar datën e zhvillimit të një takimi të ardhshëm.
Në përgjigjen e tyre është theksuar se do të bëjnë të ditura datat dhe agjendën e çdo takimi në kuadër të dialogut.
“Ne do të shpallim datat dhe agjendën e çdo takimi të ardhshëm në kuadër të Dialogut të BE -së nëse është e përshtatshme”, u tha në përgjigjen e zyrtarit të BE-së, Peter Stano.
Duhet përkujtuar që nga marrja e mandatit për drejtimin e Qeverisë së Kosovës, kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar një takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në kuadër të dialogut në Bruksel.
Edhe pse i njëjti dikur ishte kundër negociatave me Serbinë, në marrje të mandatit pati deklaruar se dialogu nuk është në top-prioritetet e tij, një gjë e tillë u la në harresë.
Kurti vazhdoi diskutimet për dialogun, madje edhe zhvilloi takim me presidentin serb.
Marrëveshja për targat është marrëveshja e fundit e arritur në kuadër të zhvillimeve në mes dy shteteve.
Pavarësisht kësaj, serbët kanë vazhduar me kërkesën e tyre të kahmotshme, atë të krijimit të komunave me shumicë serbe.
Madje në një deklarim të fundit, Vuçiq theksoi se tema kyçe e vazhdimit të dialogut do të jetë pikërisht Asociacioni.
Ndërsa pas arritjes së marrëveshjes së targave janë vetë deputetët opozitarë të Kosovës të cilët deklaruan se Qeveria Kurti veçse ka filluar të zyrtarizojë “Zajednicën”, me të arritur këtë marrëveshje.
Situata e fundit e krijuar në veri të vendit, ku serbët vazhdonin të kundërshtonin vendosjen e reciprocitetit duke vendosur kamionë të ndryshëm si barrikada dhe Njësitë e Specializuara të Policisë së Kosovës vazhdonin të kujdeseshin për mos-çuarjen në ndonjë incident të mundshëm ngjalli reagime të shumta nga ndërkombëtarët.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe nga Bashkimi Evropian në vazhdimësi kanë deklaruar se të dy shtetet mundësinë e vetme të zgjedhjes së problemeve apo mosmarrëveshjeve vazhdojnë ta kenë dialogun.
Mbetet të shihet nëse takimi i radhës në kuadër të dialogut do të jetë në mes Kurtit dhe Vuçiq, apo zv/kryeministrit Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq./Botapress.info/