UEFA e ka marrë sot vendimin për ndeshjen e ndërprerë mes Rumanisë dhe Kosovës.
Shtëpia e futbollit evropian vendosi që këtë ndeshje ta regjistrojë me rezultat zyrtar, 3:0 për rumunët pas mbledhjes së Komisionit Disiplinor të saj, shkruan “Gazeta Express”.
Ndërkohë, Rumania u dënua me gjithsej 128 mijë euro nga shtëpia e futbollit europian.
Federata rumune u dënua me 50 mijë euro dhe një ndeshje pa shikues për sjellje raciste dhe diskriminuese të tifozëve (në lidhje me thirrjet ksenofobe anti-hungareze). 30 mijë euro për transmetim të mesazheve politike provokuese nga tifozët, që nuk përkojnë me ngjarje sportive. 9 mijë euro për hedhje të gjësendeve. 4500 euro për ndezje të fishekzjarrëve. 8000 euro për përdorim të laserëve. 12.500 euro për pengim gjatë intonimit të himneve. 14 mijë euro për bllokim të dyerve të stadiumit.
Ndërkohë, Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) është dënuar me 6 mijë euro për sjellje të pahijshme të skuadrës.