Prokuroria Themelore e Ferizajt është duke vazhduar përsëri aksion në Brezovicë.Lajmin e ka konfirmuar prokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Rasim Maloku.
Ai ka thënë se ky aksion po zhvillohet që nga mëngjesi dhe se për qëllim ka identifikimin e ndërtimeve në këtë pjesë.
“Operacioni për identifikim dhe regjistrim të vikend-shtëpive në Brezovicë është duke vazhduar edhe sot me të njëjtat institucione sikurse më datë 04.08.2022”, ka thënë Maloku duke mos dhënë detaje tjera shtesë.
Rikujtojmë: Për rastin “Brezovica” në muajin mars të këtij viti janë arrestuar shtatë persona, tre ish-zyrtarë të Ministrisë se Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe katër persona, pronarë të kompanive private.
Edhe në muajin dhjetor të vitit 2021 dhe në muajin janar 2022, Policia e Kosovës ka arrestuar persona të përfshirë në rastin e quajtur “Brezovica”
Në fund të dhjetorit, janë arrestuar dhjetë persona, përfshirë ish-kryetarin e Komunës së Shtërpcës, njëherësh zyrtarin e Listës Serbe, Bratisllav Nikolliq, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Autoritetet dyshojnë se Nikolliq ka përfituar deri në një milion euro për lejet e lëshuara kundërligjshëm për ndërtimin e objekteve në Brezovicë, në Komunën e Shtërpcës.
Nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq kërkohet nga autoritetet në Kosovë për dyshime se është përfshirë në frikësimin e dëshmitarëve në çështjen e njohur si “Brezovica”.
Autoritetet e gjyqësisë dhe rendit në Kosovë, në muajin janar kishin njoftuar se kanë ngrirë afër 6 milionë euro, që dyshohet se janë përfituar në mënyrë të kundërligjshme, nga të pandehurit e përfshirë në rastin e njohur si “Brezovica”.
Brezovica konsiderohet si një prej qendrave më të mëdha të turizmit dimëror në Kosovë dhe njihet për qendrën e skijimit.
Ajo gjendet në Komunën e Shtërpcës dhe bën pjesë në Parkun Kombëtar “Sharri”.Në kohën e arrestimeve të muajit dhjetor, autoritetet gjyqësore kanë thënë se shumica e ndërtesave në Brezovicë janë ndërtuar në mënyrë të kundërligjshme.
Sipas tyre, nëse vërtetohet se ato janë ndërtuar pa leje, të gjitha pronat, përfshirë edhe vilat, do të sekuestrohen përkohësisht./Botapress.info/