Sot pas një sëmundje të gjatë ka ndërruar jetë në moshën 83 vjeçare Zeqir Nebihu, ish-kuadër dhe kryes i shumë funksioneve në Mitrovicën e paraluftës, lajmi është konfirmuar nga familjarët e tij.Gjatë jetës së tij ka mbajtur shumë funksione, duke drejtuar edhe udhëhequr shumë organizata publike, në të cilat ka lënë gjurmë në punën dhe përkushtimin për zhvillimin e qytetit.
Ka qenë drejtor i Ndërmarrje Publike “Standardi” (Pastërtia) për më shumë se 12 vite, pastaj në mandat të plote ka kryer detyrën e nënkryetarit të komunës së Mitrovicës në kohën sa ishte kryetar Rezak Çaushi.
Në vitin 1984 u emërua drejtor gjeneral në “Kosovatrans”, të cilin me mjaftë rezultate e sukses e drejtori deri në vitin 1991, kur u largua dhunshëm nga regjimi okupator.Zeqir Nebihu ka luajtur një rol të rëndësishëm posaçërisht në kohën e zhvillimit të protestës masive të minatorëve në vitin 1989, kur ata u nisën këmbë drejt Prishtinës në kundërshtim të ndryshimeve të Kushtetutës.
Zeqir Nebihu ndërroi jetë me 25 gusht 2021 në Gjermani pas një sëmundje të gjatë – varrimi do të bëhet të shtunën me 28 gusht në vendlindjen e tij Prekaz.