Me sulme kundër infrastrukturës energjitike, Rusia kërkon të hakmerret për dështimin e saj në fushën e betejës, thuhet nga pala ukrainase. Presidenti ukrainas, Zelensky bën të ditur çlirimin e Isjumit.
Përfaqësues të autoriteteve ukrainase në qytetin Kharkiv dhe në rajonet Donjeck dhe Sumi kanë publikuar njoftime për shtyp në rrjetet sociale, sipas të cilave këto zona po përballen me ndërprerjen në masë të gjerë të energjisë elektrike dhe problemeve me furnizimin me ujë. Oleg Sinegubov, guvernatori i rajonit Kharkiv ka deklaruar, se sulmet ruse kundër “infrastrukturës së rëndësishme” kanë çuar në ndërprerjen e rrymës elektrike dhe furnizimit me ujë. Misionet e shpëtimit po punojnë për të shuar zjarret në zonat e prekura.