[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Mustafa reagon ndaj ‘gjuhës nxitëse’ të Serbisë



Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, ka ritheksuar përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për dialog, paqe dhe stabilitet si dhe normalizim të relacioneve me shtetet fqinje.

Lidhur me qëndrimet e fundit të kryeministrit dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili kishte deklaruar se Serbia është ajo që po përpiqet për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, kryeministri Mustafa tha se është fakt botërisht i njohur se “Republika e Kosovës është shembulli më i mirë rajonal dhe më gjerë i përkushtimit maksimal për forma demokratike të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve”.

Sidoqoftë, kryeministri Mustafa tha po ashtu se Kosova e mirëpret edhe përkushtimin deklarativ të Serbisë për paqe dhe stabilitet.

“Në procesin evropian të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, ne kemi dëshmuar parimësinë tonë maksimale dhe përkushtimin e plotë për paqe, stabilitet dhe qasje në përputhje me vlerat evropiane”, është shprehur Mustafa.

“Këtë e di krejt bota demokratike dhe po vjen në shprehje çdo ditë e më shumë. Andaj, ne në koordinim me BE-në, me SHBA-të dhe vendet tjera mike, do të vazhdojmë këtë qasje evropiane dhe konstruktive, e cila nuk ka për synim nxitjen e tensioneve, konflikteve, por normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve, pa dëmtuar ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë në Kosovë”, tha kryeministri Isa Mustafa, për Radio Evropën e Lirë.

Në anën tjetër, kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq kishte deklaruar para një takimi që kishte thirrur në Rashkë me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës se do të jap kontributin maksimal për paqe në rajon.

“Do të japim gjithçka nga vetja që ta ruajmë paqen, ndërkaq nga Prishtina nuk presim asgjë”, ka porositur kryeministri serb Vuçiq, i cili kishte pranuar se “situata është e komplekse”.

Ndërkohë, kryeministri Mustafa, ka theksuar në vijim se “serbët e Kosovës janë plotësisht të sigurt dhe se ata i mbrojnë ligjet dhe institucionet e Republikës së Kosovës dhe se askush nuk ka asnjë arsye që të shqetësohet në këtë drejtim”.

Ndërkaq, lidhur me takimin e fundit të mbajtur në Bruksel, kryeministri Mustafa nuk ka pranuar të komentoj duke theksuar se përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini e ka sqaruar këtë çështje përmes deklaratës për media.(REL)