Legjislatura e 8-të e Kuvendit të Kosovës përmbylli punën e saj gjatë vitit 2024. Kuvendi kryefjalë kishte mungesën e kuorumit, ndërsa shumë ligje, veçanërisht ato të marrëveshjeve ndërkombëtare nuk ishin miratuar.
Viti 2024 dhe jo vetëm do të mbahet mend për seanca plenare pa kuorum për shkak të mandatarëve të cilët vunë firmën në regjistër por pak u dukën në sallë. Madje pati raste kur në sallën plenare shkuan vetëm 15 deputetë dhe një ministër.
Sipas monitoruesëve të punës së kuvendit, janë mbajtur gjithsej 263 seanca duke përfshirë këtu seancat plenare, seancat e jashtëzakonshme, vazhdimet e seancave, seancat solemne dhe seancat e veçanta. Mesatarisht 35% të seancave të mbajtura kanë prodhuar edhe vazhdime të seancave.
“Gjatë mandatit të plotë të kësaj Legjislature, Kuvendi përmbushi mesatarisht 36% të planit legjislativ, duke mos arritur asnjëherë të realizojë as gjysmën e planit të tij legjislativ vjetor. Në anën tjetër, 154 projektligje apo 21% e legjislacionit, nuk arritën të iu shpërndahen asnjëherë deputetëve edhe pse ishin në planet e punës së komisioneve, për shkak se Qeveria nuk i solli draftet në Kuvend”, tha Violeta Haxholli hulumtuese e lartë në IKD.
Deputetët gjatë mandatit të tyre katërvjeçar kanë miratuar 282 ligje, prej tyre 205 ligje të brendshme që rregullojnë fusha të ndryshme dhe 77 Marrëveshje ndërkombëtare që përbëjnë 27% të legjislacionit.
Mirëpo, në fund të mandatit, 41 projektligje mbetën në procedurë, 17 prej të cilave kaluan shqyrtimin e parë në Kuvend, ndërsa 24 arritën vetëm t’u shpërndahen deputetëve. Kjo legjislature nuk arriti të ratifikojë 9 marrëveshje ndërkombëtare të rëndësishme për përmirësimin e sektorëve kyç si energjia, shëndetësia, dhe arsimi.
Ky kuvend ka mbajtur gjithsej 36 debate parlamentare dhe 6 interpelanca derisa kryeministri Albin Kurti sipas IKD-së, doli për raportim para ligjvënësve vetëm dy herë, lidhur me dialogun Kosovë-Serbi.
Ky proces, situata në veri të vendit, telashet me deputetët e Listës Serbe, Raporti i Departamentit të Shtetit Amerikan caktuan në njëfar forme edhe rrjedhën e punës së legjislativit, ku seancat u përcollën me debat të ashpër.
Deputetët e Listës Serbe u dukën veç sa për të vazhduar mandatet.
“Dorëheqja e deputetëve të Listës Serbe në nëntor 2022, pas muajsh bojkotimesh, e la komunitetin serb në Kosovë pa përfaqësim në Kuvend dhe pamundësoi miratimin e ligjeve që kërkonin shumicën e dyfishtë”, shtoi Violeta Haxholli hulumtuese e lartë në IKD.
Megjithatë, kjo legjislaturë miratoi rregulloren e re të punës, dokument ky i cili që nuk u ndryshua nga asnjë legjislaturë paraprake.
Por, Kuvendi dështoi të miratonte Kodin e Sjelljes së deputetëve, një obligim ky që buron nga rregullorja dhe synon avancimin e rregullave të sjelljes në Kuvend.
Po ashtu, Kuvendi dështoi të miratonte Projekt Kodin Civil, pasi ai nuk u mbështet edhe nga disa deputetë të partisë në pushtet. Arsyetimi i tyre për këtë projektligj ishte se ‘duan të mbrojnë institucionin e familjes’.
Kundër këtij projektligji ishte edhe partia opozitare AAK, derisa të tjerët nuk i shprehën qëndrimet e tyre në publik.
Arsye të njëjtë mandatarët patën edhe për Ligjin për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor (IVF) i cili poashtu ngjalli diskutime të shumta.
Deputeti i larguar nga Vetëvendosje, Visar Korenica kishte kërkuar disa ndryshime në projektligj.
Gjashtë herë u tentua por nuk u arrit miratimi i tij në lexim të dytë.
Shumica parlamentare, gjatë kësaj legjislature u përball edhe me largimin e 6 deputetëve, mirëpo arriti të ruante shumicën parlamentare, duke marrë mbështetje nga partitë e komuniteteve jo shumicë, duke siguruar kështu vazhdimësinë e punës së Kuvendit. Me sharje e ofendime ky kuvend rrugëtoi drejt zgjedhjeve të 9 shkurtit. Gjuha e tillë fyese dhe denigruese është përdorur edhe nga përfaqësues të pushtetit, edhe të opozitës, edhe nga burra, edhe nga gra.
Ajo ka kulmuar më 11 tetor, kur partia në pushtet – Lëvizja Vetëvendosje – ka mbivotuar kundër kërkesës së partive opozitare për një seancë të jashtëzakonshme, lidhur me përgjimin e një bisede telefonike, e cila, sipas opozitës, përfshin shefen e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, dhe ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq, tani i akuzuar për sulmin e armatosur në Banjskë. Fyerjet atë ditë kanë qenë edhe personale.
Sfida kryesore përgjatë legjislaturës së tetë ishte sigurimi i kuorumit dhe votimi ku për pasojë në disa prej seancave u votuan dhjetëra ligje përnjëherë, e në raste edhe me procedura të përshpejtuara.
Njësoj ishte seanca e 5 dhjetorit në fund të kësaj legjislature, ku Lëvizja Vetëvendosje mbajti seanca deri në mesnatë e të cilat IKD i cilësoi se ishin në kundërshtim me parimet demokratike dhe të qeverisjes së mirë.
Seanca e fundit për vitin 2024 por me shumë gjasë edhe e fundit për legjislaturën e tetë ishte Seanca e përbashkët Kosovë – Shqipëri.
Për dallim nga seancat e braktisura e të boshatisura, të premten e 20 dhjetorit salla u mbush plot.
Derisa u bë thirrje për unifikim e bashkëpunim, në edhe këtë seancë nuk munguan kritikat.