[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Muhamet Hamiti: Ese përkujtimore për miqësinë



 Ibrahim Rugova (1944-2006) nuk ka lënë auto­biografi as kujtime të sistemuara me dorë të vet, por ka lënë trashëgiminë e madhe në republikat e letrave e të shtetit, si dijetar e shkrimtar shqiptar, dhe si ati themeltar i Republikës së Kosovës. Nxënës i Rolan Bartit (Roland Barthes), Rugova nuk ka lënë një ‘autobiografi’ të sojit të mësuesit të vet (Roland Barthes par Roland Barthes, 1975) ndoshta pse një­zet vjetët e mbrama nuk i shkoi me shkrimin letrar, që e kishte mbaruar në vitin 1987 me “Refu­zimin estetik” të tij, eseun në kapërcyell të jetës prej kri­jimit në veprim.

Sabri Hamiti (1950), miku i tij i jetës, kolegu e bashkëpunëtori i letrave, e ka njohur personalisht 38 vjet nga 61 sa bëri Rugova në jetë publike si shijues e krijues i dijes dhe ideator e realizator i shtetit të Kosovës.

Memento për Rugovën është dhuratë kujtimi (memento) që Sabri Hamiti na e ka dhënë para dhje­të vjetësh, në njëvjetorin e shkuarjes së Presi­dentit Rugova në amshim. Botimi i tretë, i plotësuar, (dy të parët janë botuar në Tiranë), që po del në Prishtinë, është libër për njeriun, krijuesin e vepru­esin Ibrahim Rugova, jo për absolutin Rugova, nga dora e kolegut të letrave e të punëve politike-kombëtare. Nuk është biografi, nuk është hagjio­grafi për Rugovën. Është shkrim jete (life-writing) për Rugovën nga njeriu që ka jetuar e punuar më së gjati me të, me veçantitë dhe ngjashmëritë që kanë të dy personalitetet në zë të vendit tonë.

Gjysma e librit e jep Rugovën e letërsisë. Gjys­ma tjetër Rugovën e politikës. E para nën thjerrëzën e kritikut për kritikun, e kolegut të letrave, e dyta nën thjerrëzën e shkrimtarit dëshmitar. Zhanri hibrid i kësaj vepre ‘nonfiction’ përcaktohet si nga natyra dyjore e subjektit, ashtu edhe nga vokacioni i autorit – krijues letrar. Teksti argumentativ por i figurshëm dëfton relacionin jopragmatik ndërmjet shkruesit dhe protagonistit të shkrimit, si kur bëhen vlerësime e kategorizime për veprat studimore-letrare të Rugo­vës, ashtu edhe kur jepen venerime e dëshmi për vlera etike e politike të Presidentit.

Shkrimi për jetën (life-writing) prek por edhe shkon tej biografisë, si dëshmi e asaj që shihet me sy e thuhet me gojë a me shkrim. Nuk është vetëm specialitet letraro-historik. Këtu hyn si zhanër vepra e Sabri Hamitit, që përfshin tekste të shkuara para dhe pas vdekjes së Ibrahim Rugovës, për të dhënë kështu Rugovën total, emanacionin e tij, korpusin dhe korpin (trupin) e tij: prej idiomit të tij eliptik, si shenjë e komunikimit tradicional në Kosovë; gjes­teve e sjelljes (me elegancë aristokratike), të dukjes e veshjes (dandy); e të karakterit të tij të malësorit, të shqiptarit, të nacionalistit të kultivuar që ishte Rugo­va, Presidenti historik i Kosovës, siç e ka quajtur Hamiti, atribut që i vishet emrit e figurës së tij prej të gjithëve sot.

Pjesa e dytë e veprës së Hamitit për Rugovën është tekst shembullor i miqësisë dhe zisë për mikun që e ka absorbuar historia.  Autori dëfton një gjuhë të emocionit nga një perspektivë thellësisht perso­na­le për mikun e shpirtit e të mendjes, figurën private e publike. Emri Ibrahim Rugova e mbijeton mikun jeta e të cilit rrezaton mirësi. Hamiti ia jep fjalën Rugovës, nuk e merr prej tij dhe për veten, teksa flet për të ardhmen, për atë që ka lënë trashëgimi Ibra­himi, miku i tij i hershëm. Nuk jep kujtime perso­nale, sikur të dojë t’i mbajë për vete Sabriu.

Hamitin e Rugovën i lidh 1968-a shqiptare e Kosovës, 1989-ta e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), formacionit të parë politik antikomunist  në viset shqiptare, i lidhin vitet 1998-1999, të tmerrit e të mrekullisë personale dhe kolektive për ta e për popullin e Kosovës. I ndan 21 janari i vitit 2006, kur Rugova shkoi në amshim. As ky jo, se në fatin e miqve është që njëri të shkojë përpara. Tjetri mbetet për ta mbajtur zinë. Dhe kështu në rrjedhë të kohës që përjeton e shkreton botën.

Memento për Rugovën është festë për jetën e veprën e Rugovës, zi për shkuarjen e tij fizike. Festë e zi për shpirtin e tij. Ku është më personali Hamiti? Në pjesën 8. Miku te kapitulli “Politika”, ku flet për Rugovën në të tashmen, “se e kam vështirë të flas në të kaluarën për mikun e prijësin Ibrahim Rugova”. Më tej: “Rugovën e njoha dhe u bëmë miq gati para katër deceniesh. I kishte flokët e gjatë e kaçurrel, që i binin mbi ballë; ishte poet e kritik letrar. Këtë ndjenjë pajtimi e kuptojnë vetëm krijuesit, që mund të krijojnë një qerthull, madje një shkollë”. Autori fjalën e ka për Qarkun kulturor e letrar të Prishtinës, dy protagonistët kryesorë të të cilit ishin Rugova dhe Hamiti, qerthullin intelektual të Kosovës që riven­do­si lidhjet vlerore me traditën shqiptare dhe Perën­dimin në vitet shtatëdhjetë të shekullit të kaluar, në kohën kur Shqipëria vuante lëngatën e dogmës staliniste për njeriun e ri socialist.

Memento për Rugovën është ese përkujtimore e Sabri Hamitit për Ibrahim Rugovën që përjetëson një miqësi të veçantë, që e feston, dhe një ndarje, për të cilën mban zi. Por, si e ka zakoni te shqiptarët, kur zija e festa bien në të njëjtën ditë, festa merr përparë­sinë, se siç thoshte Rugova vetë, me gjuhën e kulluar të urtisë së moçme: “Të gjallët me të gjallë”. Me pathos-in e kujtesës personale të Hamitit për Rugo­vën, vepra bëhet sympathia e autorit dhe lexu­esit për burrin e madh.

Zija e Hamitit dhe e jona për Rugovën e dia­lek­tizon vdekjen e tij, vdekjen që mësuesi i tij francez Rolan Bart e kishte quajtur “jodialektike”. Ky është ngushëllimi ynë, i vdektarëve.

 

2017