I qetë e pa lëvizje ishte oborri e qendra e vaksinimit kundër COVID-19 në sallën “1 Tetori” në Prishtinë. Ekipet e vaksinimit, përveç festave po pushojnë edhe gjatë vikendit.
Me pak lëvizje të qytetarëve ishin edhe rrugët e kryeqytetit, paraditen e së martës. Gjatë së hënës, Ministria e Shëndetësisë, përmes një njoftimi ka treguar se qytetarët që kanë pasur terminë për vaksinim këtë të martë, mund të imunizohen të mërkurën.
Në anën tjetër, promovimi i vaksinimit masiv, me vetëm rreth 200 mijë persona të vaksinuar, nuk u ndal edhe gjatë ditës së festës nga krerët institucionalë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se falë punës së institucioneve të shëndetësisë, që kanë arritur të sigurojnë vaksinim masiv, situata në Kosovë është më e qetë dhe masat janë relaksuar.
“Në Kosovë sivjet jemi më të qetë se në vitin e kaluar dhe masat i kemi relaksuar, falë punës së institucioneve të shëndetësisë që kanë siguruar vaksinimin masiv të popullsisë, proces që është në zbatim e sipër. Kështu që, Kurban Bajramin mund ta festojmë ashtu siç është tradita, familjarisht e me miq, por megjithatë, të ruajmë higjienën e distancën sociale, sepse ka vende të botës ku pandemia po rikthehet”, ka thënë Kurti.
Derisa thirrje për vaksinim ka bërë edhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, me anë të një postimi në facebook, ku edhe u kanë uruar festën qytetarëve, e ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.
Ky institut mbrëmjen e së hënës u është përgjigjur rreth 30 pyetjeve, që sipas tyre, kanë marrë në lidhje me vaksinimin në Kosovë, dhe për atë se kush mund të vaksinohet.