Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandër Vulin, ka deklaruar se mosaplikimi i Kosovës në INTERPOL është rezultat i punës të institucioneve serbe për t’ju treguar shteteve të ndryshme për gjendjen reale në Kosovë.
Këto deklarata, Vulin i bëri sot në seancën e 89-të të Asamblesë së Përgjithshme të INTERPOL-it që u mbajt sot në Stamboll.
”Ky është rezultat i punës sonë këmbëngulëse në vitin e kaluar, ku së bashku me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë kemi investuar shumë përpjekje dhe kemi arritur t’i njohim dhjetra shtete me gjendjen reale në Kosovë”, tha ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, transmeton lajmi.net.
Vulin ka falënderuar edhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, për të cilin ka thënë se ka bërë shumë që Prishtina të mos bëhet anëtare e INTERPOL-it për herë të tretë.
Ai ka thënë që Vuçiq ka fituar me marrëveshjen e Washingtonit duke ndihmuar pa masë INTERPOL-in të mos jetë fushë e lobimit shqiptar.
Sipas tij pas miratimit të rendit të ditës në Asamblenë e Përgjithshme të INTERPOL-it, definitivisht është konfirmuar se çështja e anëtarësimit të Prishtinës nuk do të diskutohet.