[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Mirishahe Limani-Hiler :Po shkon edhe ky vit



A është rendi me iu thanë gëzuar Vitin e Ri 2017? Po. Sigurisht që po. Duhet, sepse dikush veç ka filluar ta shikojë vitin që po vjen me një sy tjetër, me një shpresë të re.

Dikujt i dhimbset viti që po e lëmë, apo? Po. Sigurisht që po. Sepse dikush veç ka filluar të përshëndetet me shpresat të cilat vetëm i dhuruan pritje. A është koha t’ju them: qoftë viti që po vjen më i mirë se ky që po e lëmë pas e më i keq se viti që do të vij pas tij? Po. Sigurisht që po. Andaj, ju që keni me çka t’i ushqeni shpresat e reja, ju që keni arsye t’i ktheni shpinën së kaluarës, ju patjetër që meritoni t’i besoni të panjohurës që vjen me Vitin e Ri.

Të pasurit do të ngrenë dolli në ndërrimin e motmoteve, të varfrit nuk kanë kalendar, as orë, të mbijetuarit do t’u falënderohen shpëtimtarëve të tyre, të sëmurët do t’i përforcojnë bindjet se do të gjejnë atë që i premton evolucioni shkencor, të zhdukurit do të vazhdojnë ta mbajnë po të njëjtin emër e luftërat do të jenë utopi, do të përfundojnë gjithmonë me humbës e askush s’do të fitojë.

Pse të mos i gëzohem vitit që vjen? Po. Sigurisht që duhet. Duhet t’i gëzohemi sepse kemi shpresë se nuk do të na mungojë buka në sofër, do të kemi ujë të pijshëm, pa helme. Do të dëgjojmë zëra fëmijërorë rreth nesh, do të na lindin foshnje të reja, do të përkujdesemi më shumë për ata të cilëve u duhet kujdesi ynë: të moshuarit, të hendikapuarit, të sëmurët, të uriturit, të paditurit… Duhet t’i gëzohemi vitit që po vjen sepse ne jemi këtu, nuk jemi atje ku s’janë më. Duhet t’i gëzohemi pranisë së miqve, pranisë së bletëve pa të cilat ekosistemi ynë do të merrte emër tjetër, duhet t’i gëzohemi aftësisë sonë e cila ka mundësi të evulojë në formë dhe hapësirë pozitive.

Pse mos të urojmë Vitin e Ri? Po. Sigurisht që po. Vitin e Ri ne mund ta bëjmë vit të cilin do ta jetojmë me praninë tonë më ndryshe. Kur unë, ti, ai apo ajo do të dijmë se ç’duam e do të bëjmë rrugë të reja duke ecur, Viti i Ri që po vjen do të jetë i uruar e ne bashkë me të do t’i përjetojmë në veten tonë uratat e tij, do të jetojmë në kohë të tashme, me kokë, mbi supe e këmbë mbi tokë. Po shkon edhe ky vit, si thoni ju?