[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Ministrja Hoxha takoi komisionarin Muiznieks, diskutim për të arriturat dhe sfidat në drejtësi



Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, priti në takim komisionarin e Këshillit të Evropës për të drejtat e njeriut, Nils Muiznieks me ç’rast u trajtuan çështjet lidhur me të drejtat e njeriut, ndëshkimin e krimit, çështjen e të pagjeturve, hetimin e krimeve të urrejtjes dhe hetimin e kërcënimit ndaj gazetarëve.

Lidhur me kornizën ligjore, Ministrja Hoxha vuri në dukje se Kodi i Procedurës Penale, ka ashpërsuar dënimet, sidomos në rastet kur kemi të bëjmë me të ashtuquajturat “viktima të ndjeshme”. Ndërsa për çështjen e personave të pagjetur, ministrja shprehu falënderim ndaj institucioneve ndërkombëtare, duke ritheksuar rëndësinë e kësaj çështjeje.

“Por, bashkësia ndërkombëtare dhe më tutje duhet të shtojë presionin ndaj institucioneve të Serbisë, që të jenë më bashkëpunuese në hapjen e dosjeve dhe ofrimin e informacionit për vendndodhjen e varrezave masive”, theksoi ministrja Hoxha.

Rreth kompensimit të viktimave të krimit, Ministrja foli për legjislacionin dhe të drejtën për kompensim, me qëllim që të rindërtojnë jetën e tyre dhe të bëhet përparim i mëtejshëm i paqes së qëndrueshme.

Sa i takon krimit të urrejtjes, në Kosovë është relativisht koncept i ri, por pas rishikimit të sektorit të drejtësisë, priten rezultate më të mira ndaj krimit ndëretnik dhe krimit të bazuar në urrejtje.

Misioni i Ministrisë së Drejtësisë lidhet ngushtë me vazhdimin e ngritjes së besimit të qytetarëve ndaj institucioneve të drejtësisë, fuqizimin e zbatimit dhe sundimin e ligjit dhe se kjo do të arrihet falë përkushtimit të gjithanshëm të stafit vendor dhe asistencës ndërkombëtare të BE-së.

Rreth çështjes së sigurisë së medias, Ministrja vuri në pah rëndësinë e mediave të lira dhe të pavarura, duke theksuar se inkurajon institucionet që merren me veprat penale të kryera ndaj gazetarëve që të ofrojnë hetime të shpejta dhe shqyrtim me kohë të arsyeshme të rasteve të veprave penale ndaj gazetarëve.

Komisionari Muiznieks, e falënderoi Ministren Hoxha për të arriturat në lëmin e legjislacionit duke vlerësuar në veçanti ato nga fusha e të drejtave të njeriut, kompensimin e viktimave të krimit.

Në këtë takim, morën pjesë edhe zv. drejtori i Zyrës së Komisionarit për të Drejtat e Njeriut, z.  Sitaropoulos, si dhe dy këshilltarët e tij, znj. Biçakçiq dhe z. Mommers.