Kjo marrëveshje ka për qëllim vendosjen e bashkëpunimit në mes Ministrisë së Tregtisë
dhe platformës CiviKos, lidhur me çështjet që kanë të bëjnë procedurat e prokurimit
publik, mbrojtës se konsumatorëve si dhe infrastrukturës së cilësisë.
Ministrja Bajrami theksoi se kjo marrëveshje është e rëndësishme dhe hap rrugën që
MTI të mundësojë përfshirjen e shoqërisë civile në zhvillimin e legjislacionit brenda
fushëveprimit të MTI-së, monitorimin e zbatimit të legjislacionit, që ndërlidhet me
vëzhgimin e procedurave të prokurimit, mbrojtjen e të drejtave të konsumatorit, si dhe
infrastrukturën e cilësisë, duke siguruar transparencë të plotë gjatë gjithë procesit si dhe
llogaridhënie me rastin e zbatimit të përgjegjësive ligjore që bien në kompetencë të
MTI-së. Më tej, ministrja theksoi se përfshirja e shoqërisë civile në monitorimin e
aktiviteteve të lartpërmendura është e rëndësishme për të siguruar qeverisje të mirë dhe
ofrim të shërbimeve efektive dhe të qëndrueshme për qytetarët e Republikës së
Kosovës.
Në anën tjetër, Valdete Idrizi, drejtoreshë ekzekutive në Platformën CiviKos, theksoi se
“Nënshkrimi i kësaj marrëveshje është një kontribut direkt i zbatimit të Strategjisë së
bashkëpunimit në mes të institucioneve të administratës shtetërore në njërën anë dhe
shoqërisë civile në anën tjetër” tha drejtoresha Idrizi. Po ashtu, znj. Idrizi theksoi se me
vite sektori i shoqërisë civile ka qenë i zëshëm në kërkimin e transparencës. “Ne jemi të
interesuar të avancojmë bashkëpunimin me institucionet në mënyrë që të rrisim edhe
besimin e qytetarëve te institucionet publike”, theksoi ajo. /Botapress.info