Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në bashkëpunim me Policinë e Kosovës,
paralajmërojnë ndëshkime për të gjithë ata që ndezin goma, një dukuri kjo mjaft e
shprehur në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve – 1 Maj, gjegjesisht ndezja bëhet me 30
Prill në mbrëmje.
Ligji për mbrojtjen e ajrit gjegjesisht Udhëzimi Administrativ për ndëshkime me gjoba
mandatore ndalon rreptësisht djegien e gomave. Me ligj dënohet çdo person që kryen
një veprim të tillë.
Ndezja e gomave në mjedis të hapur liron dyoksinën dhe materie tjera të rrezikshme.
Dyoksina dhe oksidet e tjera që lirohen nga djegia e gomave dhe materieve tjera
shkaktojnë probleme serioze shëndetësore, si dëmtimin e organeve të frymëmarrjes,
kancerin e mushkërive, dëmton lëkurën duke shkaktuar edhe shumë probleme të tjera
shëndetësore.
Ndezja e zjarreve të tilla, veçanërisht gjatë ditës së nesërme, bart me vete pasoja të
mëdha për mjedisin. Vazhdimi i një praktike të tillë, është e pakuptimtë dhe e dëmshme
për Republikën e Kosovës dhe imazhin e saj.
Janë shpeshtuar rastet kur nga pakujdesia, nga këto zjarre kanë pësuar fëmijë, ose janë
djegur sipërfaqe të tëra me pyje.
Ndezja e zjarreve pa kontroll ka vënë në rrezik jetën dhe shëndetin e njeriut, pasurinë
private dhe shoqërore, si dhe ka degraduar mjedisin tonë edhe ashtu në gjendje jo të
mirë.
Ministria e Mjedisit bënë me dije se gjatë ditës së sotme janë angazhuar inspektorët e
saj, si dhe Policia e Kosovës dhe tërheq vërejtjen se kushdo që zihet, ose dëshmohet se
ka ndezur zjarre do të dënohet sipas ligjeve ne fuqi.