[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Ministri Avdullah Hoti reagon ndaj sulmeve të zyrtarëve doganorë nga kontrabandistët  



Ministri i Financave Avdullah Hoti reagon ndaj sulmeve të shpeshta që po ndodhin kohëve të fundit ndaj zyrtarëve doganorë nga kontrabandistët, siç ishte edhe rasti i fundit më datë 6 shkurt 2017 që ndodhi në Vushtrri ku u sulmua ekipi i doganierëve të Drejtorisë së Zbatimit të Ligjit, që po ndiqte një rast të aktivitetit kontrabandues me derivate nga Serbia përmes Mitrovicës veriore. Në këtë rast janë lënduar doganierët.

Ky sulm tregon për rreziqet me të cilat ballafaqohen çdo ditë doganierët tanë!

Ministri i Financave Avdullah Hoti shpreh shqetësimin dhe dënon ashpër këto raste dhe gjithashtu  shpreh angazhimin e tij  që në bashkëpunim me të gjitha institucionet kompetente do të angazhohet që doganierët të jenë të mbrojtur dhe të respektuar në punën e tyre dhe sulmuesit të dalin para organeve të drejtësisë dhe të marrin dënimin sipas ligjit.

Shteti i Kosovës parasheh të sigurojë sivjet 1 miliard e 108 milionë euro nga Dogana e Kosovës. Prandaj, kemi obligim shtetëror që të krijojmë të gjitha kushtet e nevojshme për doganierët për të kryer punën e tyre pa u rrezikuar fizikisht nga njerëz të papërgjegjshëm dhe kontrabandistë. Zero tolerancë ndaj atyre që sulmojnë zyrtarët doganorë apo cilindo zyrtarë tjetër shtetërorë.

Ministri i Financave e ka shqyrtuar me kujdes edhe shqetësimin e Sindikatës të Doganës të Kosovës për këtë rast dhe për raste të tjera, dhe do të angazhohet që të mobilizohen të gjitha organet kompetente të rendit për të mbrojtur zyrtarët doganorë.