[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Ministri Abrashi takon përfaqësuesit e Këshillit të Evropës



Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale z. Arban Abrashi i shoqëruar nga bashkëpunëtorë të tij, sot ka zhvilluar një takim pune me delegacionin e Këshillit të Evropës të udhëhequr nga Nils Muižnieks, Komisioner për të Drejtat e Njeriut pranë këtij institucioni. Pas urimit të mirëseardhjes, ministri Abrashi ka njoftuar të pranishmit mbi aspektet kyçe të situatës sociale dhe ekonomike në Kosovë, standardet, shërbimet dhe politikat kryesore dhe zhvillimore që ofron MPMS-ja.

Si tema aktuale për Kosovë rreth të cilave u interesuan edhe delegacioni nga Këshilli i Evropës ishin çështja e personave të riatdhesuar, të zhvendosurit e brendshëm, skemat sociale dhe pensionale për grupet e cenuara, veçanërisht ato me theks tek komunitetet romë, ashkali dhe egjiptas, skemat për kategoritë e dala nga lufta, etj. Gjithashtu ministri i njoftoi mysafirët me programin “Dil prej sociali” të iniciuar nga ai përmes të cilit synohet punësimi i personave në asistencë sociale.

Gjatë takimit, ministri Abrashi parashtroi edhe çështjen e viktimave të dhunës seksuale në luftën e fundit në Kosovë me ç’rast potencoi vullnetin dhe përkushtimin e tij që këto viktima të trajtohen denjësisht përmes kujdesit institucional. Abrashi theksoi se procesi po ecën mjaft mbarë duke u shprehur se pret që të mbijetuarit e kësaj dhune të fillojnë të kompensohen qysh këtë vit.

Ndërkaq, udhëheqësi i delegacionit nga Strasburgu, Komisioneri Muižnieks u nda mjaft i kënaqur nga ato që u prezantuan në takim duke e informuar ministrin Abrashi edhe për qëllimin e vizitës së delegacionit të Këshillit të Evropës e cila është e fokusuar kryesisht në drejtësinë tranzicionale dhe lirinë e mediave në Kosovë.   ​