Ekzistenca e njeriut po luhet si një lojë në modë kohët e fundit dhe ne jemi spektatorët që rrijnë duarkryq para këtyre fenomeneve që po ndodhin çdo ditë dhe po mendojmë me veten ku po jetojmë.
Rasti i sotëm i 8 vjeçarit që u gjend i vdekur në mënyrë makabre na tronditi të gjithëve duke prekur anët tona më të ndjeshme dhe duke vënë në dyshim sigurinë e jetës dhe faktorët që po e shkaktojnë gjithë këtë rrëmujë ngjarjesh dhe mendimesh, në shumicën e rasteve duke u vënë në dyshim jeta e secilit.
Ulemi në kafene dhe servirim në tavolinë ideale dhe i mbyllim sytë para realitetit të hidhur që na vishet çdo ditë. Të gjithë janë të lumtur nën falsitetin e gjërave të përkohshme që jua mbushin shpirtin me materializëm dhe të kuptuarit, të diturit, të ndjerit po veniten para syve tanë ku po shiten si antivlera dhe gjëra demode të kohës. Po e veshim lumturinë me mantelin e të përkohshmes ku po harrojmë të jetojmë dhe të dijmë vlerën e saj. Shohim dhe takojmë njerëz të cilët vendosin maskën e mirësisë ndershmërisë dhe personit ideal duke mos ditur se ç’fshihet pas asaj maske.
Çfarë fshihet pas maskave të përditshme ideale? Me çfarë rrethohemi çdo ditë dhe jetojmë me ta ngjeshur në lëkurë në një mënyrë të pavetëdijshme?
Janë pikërisht këto njerëz që po na heqin buzëqeshjen për disa momente të jetës tonë dhe po veshin trikon e frikës në të ftohtin e realitetit. Njerëz të pafajshëm që kanë ëndrra dhe plane në jetët e tyre po ikin nga ne me vrap pa e kuptuar dhe pa shijuar lulet dhe aromën e jetës. Janë pikërisht këto njerëz që po na godasin çdo ditë me fjalët, veprat e tyre makabër me syrin e ftohtë dhe zemrën gur. Shohim, dëgjojmë çdo ditë hidhësitë që po na serviren si një pikë normale e realitetit që e ndjejmë dhe e harrojmë pas 3 ditësh.
Ku shkoi vlera e jetës? Pse nuk mund ta kuptojmë dot se sa e shtrenjtë është kjo fjalë dhe se nuk është një lojë ? Ku ikën ëndrrat të cilat ne thurim çdo ditë për një të ardhme të ndritur? Ku është dashuria dhe vlerat njerëzore?
Ku janë njerëzit? Këto pyetje po luhasin mendimet tona dhe po ecim me frikë në atë që duhet të ishte gjëja më e bukur, jeta. Mendoj se faktorët e këtyre ngjarjeve që po ndodhin çdo dite vijnë nga neglizhenca e të dashurit të jetojmë jetën në mënyrën e duhur, sepse ne nuk duam më të dijmë ç’është e mira apo e keqja. Ne nuk po mendojmë më për pasojat e veprimeve apo mosveprimeve tona.
Të gjithë mund të themi se shkaqet janë nga faktorë ekonomikë, socialë apo politikë por mendoj se është më thellë se kaq. Është brenda ndërgjegjes tonë dhe asaj që mendojmë apo konceptojmë çdo ditë.
A më thoni dot, pse kaq e lehtë është të mbyllim sytë para çdo të keqeje që na afrohet? Pse kaq e lehtë është të thuash “Po ndodhi”.
Asgjë nuk gjen shpëtim për aq kohë sa nuk vendosen rregulla më të forta për këto njerëz që trondisin jetën e secilit. Nuk janë paratë zgjidhja, e as korrupsioni duke mbyllur sytë për atë që ndodhi. As dënimi me vdekje nuk është zgjidhje sepse ai është luksi i njerëzve të tillë.
Ai duhet të kuptojë çdo ditë si po i merret jeta,pa ia marrë atë? Kush po i lexon gjithë këto fjalë? Kush po na dëgjon ne që po bërtasim me fjalët tona? A mundemi që shpirtin mos ta veshim më me neglizhencë, por të kuptojmë se jeta është e jona?
A mund të mos jetojmë në gri? A mund të duam më shumë? Po, ne mund të duam, ne mund t’i japim ngjyra jetës dhe frikën ta mposhtim sepse ne duhet të jemi shembulli si fillim, që parimet të ecin drejt në rrugën tonë dhe të mos devijojmë nga ajo.