Drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, thotë se vendimi i qeverisë për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve është i kundërligjshëm.
Sipas tij, këtë e di edhe një jurist me njohuri elementare. Miftaraj thekson se ky vendim nuk ka me gjetë zbatim dhe “nuk mund të zbatohet një vendim i kundërligjshëm”.
“Një jurist me njohuri elementare e din se vendimi i Qeverisë per uljen e pagave për gjykatës dhe prokurorë është i kundërligjshem. Ky vendim nuk ka me gjetë zbatim. Nuk mundet mu zbatu nje vendim i kunderligjshem. Më vjen keq per Kryeministrin Kurti për nivelin e njerëzve që e keshillojne në çeshtje te drejtesise. Keta nuk ia dojne te miren Kryeministrit. Te njejtit nuk duhet me vene ne situata te tilla Kryeministrin”, ka shkruar ai.
Qeveria Kurti ka ulur pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke shfuqizuar vendimin e Qeverisë Haradinaj të vitit 2017, e cila prekte rritjen e të ardhurave mujore edhe të punonjësve të drejtësisë.
Në periudhën e Qeverisë Kurti I, shefi ekzekutiv kishte marrë vendim që t’i ulet paga, por që të ardhurat e përfaqësuesve të drejtësisë nuk u prekën.
Me miratim të këtij vendimi të mërkurën, pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve kthehen në ato që ishin përpara 2017-ës.
“Kushti i paraparë për përjashtim të këtij ligji është plotësuar me nxjerrjen e aktgjykimit nga Gjykata Kushtetuese”, ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë.
Qeveria në këtë mbledhje miratoi edhe projektligjin për pagat në sektorin publik. /Botapress.info/