[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

MF dhe OEK diskutojnë për pakon fiskale 2.0  



Në vazhdën e diskutimeve me komunitetin e biznesit për pakon fiskale 2.0 Ministria e Financave ka organizuar sot takim diskutimi me përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Kosovës, si dhe përfaqësues të Shoqatave të bizneseve dhe prodhuesve në Kosovë.

Në këtë takim morën pjesë ministri i Financave Avdullah Hoti, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Hykmete Bajrami, zëvendësministri i Financave Agim Krasniqi, Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, drejtori i përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës Sakip Imeri, u.d drejtori i përgjithshëm i Doganës së Kosovës Fahri Gashi, si dhe përfaqësues të Shoqatave që janë brenda Odës Ekonomike dhe përfaqësues të bizneseve të tjera.

Ministri i Financave Avdullah Hoti duke falënderuar Odën Ekonomike të Kosovës për bashkëpunimin e deritanishëm e në veçanti në këtë proces të diskutimit të politikave të reja fiskale tha se “Qëllimi i këtij takimi është që ne të prezantojmë para juve disa masa të reja të Pakos Fiskale që i kemi aprovuar në Qeveri në dhjetorin  e vitit që shkoi dhe të marrim nga ju sugjerimet shtesë për të plotësuar këto masa, ose për të nxjerr masa të reja përpara se besojmë në fund janarit ose fillim të shkurtit të kthehemi në Qeveri të aprovojmë këto masa, me afate kohore se kur do të implementohen secila prej këtyre dhe me institucionet përkatëse për implementim e këtyre masave”.

”Ministria e Financave, duke qenë njëri nga institucionet kyçe në krijimin dhe promovimin e politikave më të favorshme fiskale është duke punuar që një kohë të gjatë, në bashkëpunim me komunitetin e bizneseve, për hartimin e politikave të reja fiskale, si vazhdimësi e reformave fiskale të ndërmarra në vitin e kaluar”, shtoi Hoti.

Sipas tij masat bazë që parashihet të përmbajë kjo pako e re fiskale janë: Zgjerimi i listës së produkteve që konsiderohen si lëndë e parë, për lirim nga tatimi doganor; Heqja e normës së akcizës në mazut; Ndryshim/plotësimi i listës së produkteve që i nënshtrohen normës 0 përqind apo normës së reduktuar 8 përqind të TVSH-së; Udhëzimi Administrativ për Pushimet Tatimore; Nxjerrja e akteve të nevojshme legjislative për kushtet e veçanta të evidentimit, kontrollit dhe shënjimit të miellit i cili vendoset në qarkullim të lirë në tregun e Republikës së Kosovës; Nxjerrja e akteve të nevojshme legjislative për kushtet e caktuara nën të cilat pranohen (njihen) humbjet nga prishja, avullimi apo humbja e peshës së naftës dhe produkteve të saj; si dhe  Krijimi i kodeve të reja doganore për disa produkte, sipas praktikave të BE-së.

Ai më tej shtoi se këto janë shtatë masat që kanë kaluar në Qeveri në dhjetor të vitit që shkoi. Ndërsa në diskutimet që kemi pasur me shoqatat deri tash ne kemi marrë edhe propozime të tjera.

“E rëndësishme është se një masë që është propozuar nga diskutimi fillestar që kemi pasur me Odën Ekonomike menjëherë pas diskutimeve që i kemi bërë në qeveri për këto masa është krijimi i listës së bonitetit të kompanive, pra për ato kompani që janë të rregullta në kryerjen e obligimeve karshi institucioneve shtetërore t’i kenë edhe përfitimet e mundshme që mund t’i ofroj Dogana, Administrata Tatimore, Ministria e Tregtisë ose institucionet e tjera që mund të kenë këto kompani”.

Ai gjithashtu shtoi se “Një masë shumë me rëndësi është një ligj gjithëpërfshirës për licenca. Ministria e Tregtisë është duke punuar në këtë drejtim, licenca për eksport-import, për eksplorim të pasurive natyrore nga më të ndryshmet që merren nga institucionet e ndryshme. Secila i ka procedurat e tyre, procedurat burokratike që janë të nevojshme për të marrë këto licenca, por që do të thjeshtëzohen në masë të madhe përmes një dritareje të vetme të një ligji që i thjeshtëzon këto dhe i unifikon te një institucion i vetëm”.

Ministri Avdullah Hoti gjatë diskutimit theksoi edhe njëherë çështjen e fiskalizimit, me këtë rast falënderoi gatishmërinë e Odës Ekonomike, klubeve të bizneseve, të naftëtarëve, etj, për të lëvizur përpara me këtë projekt dhe ne sot mund të flasim për suksese sa i përket fiskalizimit dhe procesit.

“Besoj që gjatë javës së ardhshme bashkë me kryetarin e Odës dhe kryetarin e naftëtarëve do të ulemi përfundimisht për një afat kohor se kur përmbyllet procesi i fiskalizimit, në veçanti atij të naftëtarëve dhe bizneseve të tjera. Jemi dakord të fillojmë Ligjin për Lojërat e Fatit ashtu si e kemi marrë propozimin dhe të ndryshojmë Udhëzimin Administrativ për arin e vlerësueshëm, sepse është neni 2 i atij Udhëzimi që bizneset, në fushat e ndryshme përpunuese të arit të kenë disa çështje që ju shkakton problem në biznesin e tyre”, shtoi ministri Avdullah Hoti.

Ministri Avdullah Hoti gjithashtu bëri të ditur se kemi edhe një propozim tjetër për trajtimin e akcizës. “ Ju e dini që për shumë vite kjo akcizë është thjesht për qëllime të caktuara, me buxhetin do të trajtojmë se si mund të reduktojmë akcizën në lëngje të gazuara”.

Ai gjithashtu bëri të ditur se “Është një propozim që ka dalë me Klubin e Prodhuesve që prodhuesit të kenë numër identifikues të veçantë, që besoj që këtë mund ta rregullojmë në bazë të listës se reitingut që janë në fushën e prodhimit tek rimbursimi i TVSh-së, nuk besoj që do të ketë përmasa

“ Administrata Tatimore e Kosovës është duke punuar shumë në këtë dhe besoj që kjo është çështje ditësh, javësh që të përmbyllen procedurat për rimburisimin e TVSh-së duke u bazuar në riskun që është duke bërë këtë proces automatik. Tek fusha e sigurimeve kemi një vërejte që vjen prej këtyre kompanive që nuk e di a kemi në tryezë ndonjë përfaqësues të tyre për shkak të aplikimeve të pagimeve për pagë prej 5%, kemi disa çështje që duhet t’i zgjidhim me Bankën Qendrore të Kosovës drejt aplikimi të pagimit të sigurimit sikur çdo kompani tjetër”, shtoi ministri Hoti. 

Me këtë rast,  ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, duke përgëzuar Ministrin e Financave  për organizimin e këtyre takimeve që sipas saj kanë qëllim përmirësimin e kushteve për të  bërit biznes “viti 2016 ka numrin rekord të regjistrimit të bizneseve.

“Vetëm gjatë vitit 2016 janë regjistruar 10 mijë e 600 biznese në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve (ARBK.  Në asnjë vend të Bashkimit Evropian nuk është e mundur sepse në shumë vende ndodh që më shumë të ketë biznese që janë shuar nga ato që janë regjistruar si biznese të reja”, ka shtuar Ministrja Bajrami.

Ndërsa, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu duke falënderuar ministrin Avdullah Hoti dhe institucionin që ai udhëheqë për bashkëpunimin e vazhdueshëm në diskutimin për përmirësimin e politikave fiskale në vend, ku sipas tij ashtu sikurse pako e parë fiskale pret që edhe kjo pako e re fiskale të ketë efektet pozitive tek bizneset por edhe në ekonominë e vendit.

“Propozoj katër rekomandimet për Pakon e re Fiskale, e cila do të ketë dualitet edhe në aspektin intern dhe atë ekstern. E para është dialogu që mund të kemi me bizneset; e dyta është që të ketë sundim të rendit dhe ligjit; dhe e treta e katërta janë më të komplikuara sepse njëra kërkon biseda dhe dialog ndër institucional dhe e katërta është formë e komunikimit me nivelin qendror dhe atë lokal”, shtoi kryetari i OEK-ut Safet Gërxhaliu.

Ndërsa, përfaqësuesit e Shoqatave të bizneseve dhe prodhuesve të Kosovës, e vlerësuan lartë gatishmërinë e Ministrisë së Financave për të diskutuar me bizneset me qëllim të krijimit të kushteve më të mira dhe lehtësimit për të bërë biznes. Ata gjithashtu propozuan rekomandimet e tyre me qëllim të përfshirjes në pakon e dytë fiskale, të cilat priten të shqyrtohen nga zyrtarët e Ministrisë së Financave.

MF_02