[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Mësimi në gjysmë vjetorin e dytë ka filluar me probleme të vogla në dy shkolla



Kryesuar nga  kryetari i komunës, Agim Bahtiri, dhe në prani të  nënkryetarit Faruk Mujka  dhe drejtorëve të drejtorive komunale, është mbajtur  mbledhja  e Bordit të drejtorëve, në të cilën temë kryesore shqyrtimi, ishte fillimi i gjysmë vjetorit të dytë të vitit shkollor.  

Drejtori i Arsimit të komunës, Skender Avdiu, tha se janë  marrë masat e nevojshme  për një fillim të mbarë të gjysmë vjetorit të dytë. “Të gjitha shkollat janë furnizuar me dru për ngrohje dhe nuk ka pas probleme të theksuara me përjashtim të shkollës në Shupkofc dhe asaj ekonomike, ku janë paraqitur disa probleme për shkak të  motit të ftohtë që ka ndikuar në dëmtimin e disa gypave, por që problemet nuk janë paraqitur me kohë për të intervenuar dhe evituar problemet”, tha drejtori Avdiu.

Drejtori i financave,  Nystret Maxherra, theksoj se faturat për pagesë duhet të paraqiten me kohë dhe se vonesa e tyre është një papërgjegjësi e drejtorëve dhe kjo mund te shkaktoj pastaj vonesë në pagesat me kohë të obligimeve financiare.

Drejtori i prokurimit, Jeton Ujkani, kërkoi nga drejtorët që akoma nuk i kanë dorëzuar projektet në prokurim, që këtë ta bëjnë sa më parë, sepse afati i fundit për lajmërim në AQP  është deri më datën 17 të këti muaji.

Kryetari Bahtiri pasi ju tha drejtorëve se duhet të mobilizohen deh angazhohen maksimalisht për kryerjen e obligimeve të tyre sipas dinamikës së paraparë, kërkoi nga drejtori i Inspekcionit, Ismet Syla që inspektorët menjëherë të dalin në terren dhe të marrin masa për pastrimin e hapësirave publikë përpara dyqnave e objekteve tjera dhe ndaj të gjithë pronarëve që nuk e respektojnë urdhrin të iniciojnë masa ndëshkuese administrative të lejueshme me rregullore dhe ligje.

Po ashtu,  kryetari Bahtiri, kërkoj nga drejtori i Infrastrukturës dhe Shërbimeve Publike, që të bëjë sa më parë shpalljen e tenderit  për angazhimin edhe të kompanive tjera për pastrimin e qytetit,  sepse qytetarët nuk janë të kënaqur me shërbimet e kompanisë kontraktuese aktuale.

Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Musa Dragaj, tha se komuna kë bërë të pamundurën  për hapjen e rrugëve në ditët me mot të lig deh falë këtij angazhimi situata ka qenë e kënaqshme, ndërkohë që Ministria e Infrastrukturës nuk e ka kryer punën siç duhet, sidomos në rrugën rajonale Bajgorë-Kaqandoll-Podujevë.