Dy mjekët e Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, kirurgu Luan Mustafa dhe anesteziologu Halil Basha, janë arrestuar të shtunën nga Krimet Ekonomike nën dyshimin për marrje ryshfeti.
Mjekët janë arrestuar gjatë kujdestarisë. Për këtë rast gjykata ka vendosur nga një muaj paraburgim për dy mjekët.
Këtë e ka konfirmuar Sabit Shkodra- zëdhënës në Gjykatën Themelore në Gjilan.
“Në lidhje me pyetjet e juaja për rastin në fjalë ju njoftojë se dje (01.05.2023), gjyqtari procedurës paraprake ka mbajtur seancën dëgjimore ndaj dy pandehurve H. B. dhe L. M. të cilët dyshohet se kanë kryer veprën penale në bashkëkryerje marrja e ryshfetit, nga neni 421 paragrafi 2 lidhur me par.1 e lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Gjykata ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji të pandehurve, i cili do të llogaritet prej ditës se ndalimit me 29.04.2023 e gjerë me datë 28.05.2023, konform dispozitave të nenit 184 paragrafi 1 nënparagrafët 1.1 dhe 1.2 pika 1.2.2 dhe 1.2.3 të Kodit të Procedurës Penale (KPP)”, tha Shkodra.
Të njëjtit fillimisht u ndaluan për 48 orë./Botapress.info/